Kryeministri Edi Rama thotë se vendosi të tërhiqej nga padia e ngritur kundër gazetës gjermane “Bild” pasi njohu nga afër shefat editorialistë të gazetës.
“U njoha me shefat editorialistë të BILD gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih dhe kaluam aq bukur sa nuk pata më motiv për ta vazhduar gjyqin. Njerëzore!”, deklaroi Kryeministri në Twitter.
Kundërshtarët e tij politikë e cilësojnë tërheqjen të detyruar nga fakti që Rama nuk kishte asnjë mundësi që të fitonte nëse do të padiste gazetën gjermane në gjykatat gjermane për shpifje në lidhje me publikimin e përgjimeve të dosjeve 339 dhe 184 të shitblerjes së votës.
LEXO EDHE:
‘Bild’ plas përgjimet: Bosi i Shijakut Astrit Avdylaj në telefon me Dakon
E gjithë kupola e PS në përgjimet e ‘BILD’, Rama: U realizua objektivi?
Rama u përgjigjet edhe këtyre pretendimeve.
“Në greqishten e vjetër idiot quhej personi që s’duhet të merrej me çështje të interesit publik, po vetëm me punët e veta. Fatkeqësisht më kanë qëlluar kundërshtarë disa që politikën e kanë si nevojë personale dhe jashtënxjerrin pa pushim në publik idiotësinë e tyre! Por paçka se fatmirësisht ky popull ua njeh erën prej kohësh dhe as u afrohet më, sqarimet duhen bërë për popullin jo për ta!”, thotë Kryeministri.
Rama nuk përmend asnjë emër, por mes kundërshtarëve që komentoi këtë të mërkurë tërheqjen e Kryeministrit nga padia ndaj Bild ishte zv.kryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka.
Tërheqja e Ramës nga padia për gazetën Bild, nënkryetari i PD, Edi Paloka: Provon shit-blerjen e votës. Rama e pranoi, tani rradhën e ka drejtësia
“Zbythja e Ramës para “Bild”-it është përfundimisht kapitullimi i tij publik përpara një të vërtete të njohur sot botërisht; faktit se që nga 2013, zgjedhjet në Shqipëri blihen dhe manipulohen nga një organizatë kriminalo-politike e vetëquajtur “rilindje””, thotë Paloka.
Nënkryetari demokrat thotë se përgjimet provojnë se manipulimin e zgjedhjeve vendore dhe atyre qendrore. Ai deklaron se jehona dhe diskreditimi në opinionin ndërkombëtar, e detyroi Ramën që të shpallte se do e hidhte në gjyq “Bild”-in për shpifje dhe akuzon Ramën se u përpoq të korruptojë gazetën dhe gazetarin që publikoi përgjimet.
“Ai ishte i bindur në absurditetin e aktit të tij, me bindje e hodhi atë hap fals, sepse si hileqar i lindur shpresonte që me atë lëvizje ta mpakte fillimisht efektin e denoncimeve të “Bild”-it dhe të fitonte kohë. Të fitonte kohë me vetëbesimin se aftësitë e tij korruptonjëse, do ta nxirrnin dhe një herë pa lagur. Por tentativat e tij për të kompromentuar gazetën, apo gazetarin, jo vetëm dështuan por dhe u diskretituan me turp. Rama harroi se nuk po vepronte në terrenin e tij, ku është mësuar të korruptojë nga të gjitha anët, shqiptarë e jo vetëm”, thotë Paloka.
Sipas Palokës, pasi dështoi me planin për të korruptuar gazetën, Ramës i mbetën dy rrugë, përballja në gjyq, ose tërheqja.
“Përballja në gjyq do të ishte dërrmuese për Ramën, sepse jo vetëm do të humbiste gjyqin, jo vetëm do të rikthente dhe një herë në qendër të vëmendjes manipulimin e zgjedhjeve, por siç kishte paralajmëruar gazetari Peter Tiede, do t’i viheshin përballë dhe fakte të reja për krimet dhe skandalet e tij”, vijon Paloka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje