Mazhoranca votoi me 91 vota propozimin e Qeverisë për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore edhe me dy muaj të tjerë. Në seancë nuk munguan përplasjet me deputetët e opozitës parlamentare, që e kundërshtuan këtë vendim.
Kuvendi u mblodh në seancë plenare, ku pika e parë e rendit të ditës dhe e vetmja që lidhej me krizën e pandemisë ishte zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore me dy muaj të tjerë, duke e çuar deri më 23 qershor, sipas kërkesës së dorëzuar nga Qeveria.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali kërkoi miratimin e propozimit.
“Është domosdoshmëri që e gjithë kjo situatë pandemie të kalojë me sa më pak të prekur dhe më e rëndësishme me sa më pak fatalitete”, tha ajo.
Por, deputetët e opozitës parlamentare e kundërshtuan. Myslim Murrizi tha se i gjithë propozimi është demagogji dhe propagandë dhe se çdo vendim i miratuar nga Kuvendi mund të rrëzohet nga Kryeministri Edi Rama.
Murrizi ironizoi edhe “normalizimin” e raporteve mes mazhorancës dhe Presidentit Ilir Meta, që pas ndryshimeve në Kodin Penal, ndryshime që u dekretuan menjëherë nga ana e Metës, pavarësisht se në arsyetimin juridik që e shoqëronte dekretimin vinte në dukje shkeljen e Kushtetutës me miratimin e tyre me procedurë të përshpejtuar.
Në lidhje me zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor, Presidenti Ilir Meta deklaroi në një intervistë mbrëmjen e së mërkurës se duhej të respektohej Kushtetuta dhe të kërkohej shtyrja me 30 ditë, jo me 60.
“A jeni konsultuar me kapon, se kapo tha mbrëmë që 30 ditë janë dakort. Flisni me të njëherë para se të mbushni kutinë! Flisni me dashurinë e Gjirit të Lalzit dhe të alenacës së 1 prillit të ngjalave”, tha ai.
Murrizi tha se ndryshimet në Kodin Penal mund të jenë objekt i Gjykatës Kushtetuese, kur kjo e fundit të jetë funksionale, ndërsa duke iu referuar votimeve të seancës së të enjtes, ku Parlamenti miratoi edhe aktet përmes të cilave u gjobitën rreth 9 mijë qytetarë për shkelje të masave kufizuese tha se deputetët votojnë kot, pasi vendimet e tyre anulohen më pas nga Kryeministri.
“Të gjitha aktet që miratuam këtu të enjten e kaluar, plot 9 akte, i madhërishmi i anuloi të premten. Me gjoba, e gjoba i anuloi të gjitha për të thënë që unë jam më i miri dhe ata atje (deputetët) nuk dinë gjë! Nuk marrin vesh gjë! Prandaj, edhe gjendjen e fatkeqësisë natyrore ne e votojmë kot. Pyeteni njëherë të madhërishmin a do t’i qëndrojë këtij akti deri më 23 qershor, pastaj hajdeni ta votojmë”, deklaroi ai.
Opozita parlamentare mendon se nuk plotësohen kushtet dhe është jologjike zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Ralf Gjoni mendon se kjo i shërben vetëm Qeverisë.
“Nuk shoh kushte të përshtatshme për logjikën time. Nuk shoh fatkeqësi natyrore për momentin. 20 e kusur vdekje nuk janë arsye e fortë për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Më shumë persona ka vrarë tërmeti, më shumë njerëz ka vrarë gripi sezonal vitin e kaluar se koronavirusi. Jeta duhet të marrë ritmin e zakonshëm dhe nuk ka nevojë për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë, sepse kjo i jep tagrin qeverisë që të bëhet më autoritare dhe të vazhdojë zullumet e këtij vendi”, tha ai.
Duke komentuar zhvillimet e fundit politike në raportet Rama-Meta-Basha, Gjoni i shënjestroi të tre.
“Skenën politike po e dominon Edi Rama dhe dashuria e tij e vjetër Ilir Meta. Bëtë edhe komision për të shkarkuar Ilir Metën. Por, sot e keni bërë edhe deputet me korrespondecë. Si mundet Presidenti bën propozime për amendimet e Kodit Penal?! Hë Taulant (Balla) si mundet?! Pse nuk e shkarkoni?! Ka një fat të madh Edi Rama që ka përballë një dështak, që bën si lider opozite dhe rri si dele. Shqipëria po mbahet peng nga një histori dashurie dhe urrejtje nga dy socialistë, ku njëri vuan nga kompleksi i inferioritetit dhe tjetri nga paranoja, ndërsa ai tjetri fle gjumë”, deklaroi ai.
Kundër zgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore doli edhe Lefter Maliqi. Ai tha se zgjatja u shërben vetëm interesave personale të Kryeministrit Edi Rama, ndërsa deklaroi se me masat kufizuese Rama po teston qytetarët se sa të nënshtruar janë.
“Jam kundër opozitës jashtëparlamentare që thotë duhet testim, testim, testim. Jam kundër sepse kjo qeveri po e bën testimin, Po e teston këtë popull në mënyrë të përkryer dhe po i nxjerr me radhë në fillim pleqtë dhe më pas gratë dhe fëmijët. Kjo Qeveri po provon se ky popull është vërtet i nënshtruar dhe frikacak”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje