Politike

Opozita e Bashkuar: Qeveria e paaftë të përballojë Covid-19

Lulzim Basha mblodhi në selinë e Partisë Demokratike krerët e partive aleate të koalicionit opozitar për të diskutuar dhe dalë me një qëndrim të përbashkët në lidhje me krizën e përgjithshme që po kalon vendi si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Në fund të takimit, zyra e shtypit e Partisë Demokratike ka shpërndarë një deklaratë të qëndrimit të unifikuar të udhëheqësve të opozitës. Thelbi i deklaratës janë tre pika.

“Me shqetësimin më të madh për sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, për ne është e papranueshme që 6 javë pas shpërthimit të epidemisë, qeveria: 1. Ka bërë mesatarisht vetëm 110 teste në ditë, për mbi 2,6 milionë banorë. 2.Ka lënë jashtë ndihmës financiare mbi 750 mijë qytetarë dhe nuk ka shpërndarë ndihmën e premtuar për mijëra të tjerë. 3. Nuk ka akorduar fonde të mjaftueshme për përballimin e krizës, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon”, thotë koalicioni opozitar.

Koalicioni opozitar vlerëson se qeveria është treguar e paaftë dhe ka dështuar për të menaxhuar në mënyrën e duhur situatën e krijuar nga koronavirusi, duke ecur pa një strategji dhe plan për daljen nga kriza.

“Të gjitha faktet tregojnë se Qeveria po improvizon dhe se nuk ka asnjë strategji për daljen nga kriza. Regjimi i Facebook-ut ka suprimuar çdo vendimarrje përmes institucioneve. Gjatë 6 javëve, qeveria kërkoi sakrifica vetëm nga qytetarët, por nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për vete. Lufta e qeverisë duhet të jetë me virusin dhe pasojat e tij dhe jo me qytetarët. Por deri më sot prioritet i qeverisë ka qenë gjobitja e qytetarëve dhe jo testimi, kufizimi kaotik i lëvizjes dhe jo transparenca, kërcënimi me burg dhe jo bashkëpunimi, braktisja e njerëzve në nevojë dhe jo ndihma për ta”, vijon deklarata.

Duke patur parasysh shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë me raste të reja në ditët e fundit, ku vetëm sot ishin 29 të tillë, opozita thotë se refuzimi i Qeverisë për të mbyllur fasoneritë i ktheu ato në vatra përhapjeje infeksioni.

Opozita është e bindur se kriza konfirmoi që për kryeministrin prioritet janë një grusht klientësh, me të cilët thotë se ai grabit taksat e shqiptarëve.

“Në vend që të financojë ekonominë për të mos mbyllur vendet e punës, Edi Rama zgjedh të vazhdojë pagesat prej mbi 100 milionë euro për disa koncesione korruptive. Koalicioni opozitar bën thirrje për rishikimin urgjent të paketave gjysmake ekonomike, në mënyrë që askush që është prekur nga kriza, të mos përjashtohet nga ndihma si dhe për anulimin e menjëhershëm të koncesioneve”, thotë koalicioni opozitar.

Deklarata mbyllet me kërkesën për transparencë dhe bërjen publike të të gjitha kontratave të klasifikuara si sekret shtetëror, ndërsa Prokurorisë i kërkon që të hetojë me shpejtësi rastet e korrupsionit të denoncuara nga mediat dhe opozita. “Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë sesi po shpenzohen paratë e taksave të tyre për të cilat kanë aq nevojë sot”, mbyllet deklarata.

Fill pas kësaj deklarate të opozitës ka reaguar Kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi të shkurtër në Twitter, ai ironizon me shifrat e publikuara nga PD të njerëzve, që sipas opozitës janë në nevojë për ndihmë.

“Para epidemisë kishim vetëm të papunë e të gjithë kishin ikur nga Shqipëria! Tani paskemi vetëm punëtorë e të varfër që duhen paguar, po t’i mbledhësh siç i numëron PD bëhen 2 milionë! Plus fëmijë, studentë,pensionistë,shtëpiake, s’paska ikur kush nga Shqipëria. Vaj medet PD, 7×7=49”, tha Rama.

Kundërpërgjigja ndaj kësaj deklarate të Ramës ja dha nga PD Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.

“Kur tabelën e shumëzimit e mëson si Edi Rama, duke llogaritur sa para fiton nga 1 leje ndërtimi, 1 koncesion, 1 tender, 1 pronë në bregdet, sa vota të siguron 1 kg heroinë, e ke mendjen të gënjesh për të mbuluar dështimin. Çdo shifër e dyfishon sipas interesit politik, njësoj si çmimet e tenderave sekret. Punonjësit nuk i fut dot në xhepa si lekët e tenderave dhe as nuk i fsheh dot siç përpiqesh të bësh me dështimet e tua”, u shpreh Bardhi.

Bardhi thotë se shifrat e publikuara nga PD janë marrë nga INSTAT.

“Sipas INSTAT në Shqipëri ka rreth 974 386 punonjës në sektorin privat bujqësor dhe jo bujqësor. Qeveria ka lënë jashtë ndihmës financiare mbi 750 mijë qytetarë dhe nuk ka shpërndarë ndihmën e premtuar për mijëra të tjerë. Nga Surreli është vështirë të numërosh të varfërit dhe të papunët. Për të provuar dhimbjen e atyre që skanë marrë ende asnjë lek, nuk ka nevojë për makinë llogaritëse. Duhen vetëm sy, vesh dhe përgjegjshmëri në qeverisje”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm demokrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë