Ndryshe nga optimizmi i kreut të qeverisë për mënyrën se si është menaxhuar lufta ndaj Covid-19, Lulzim Basha vijon të këmbëngulë se panorama është krejt tjetër. Jo vetëm. Në një intervistë për News 24, Basha ka ngritur tonet dhe ka akuzuar qeverinë se; situata e përhapjes së infeksionit është më e rëndë nga sa tregohet; se qeveria është e paaftë për të përballuar krizën; se nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar të varfërit dhe se, paketat ekonomike të ofruara deri më tani janë të pamjaftueshme. Duke folur me këtë llogjikë politike, Basha u pyet nëse opozita po shikon opsionin e protestës siç po ndodh në Brazil.
“Janë dy gjëra që s’duhet të ngatërrohen, mbështesim, inkurajojmë e do t’i japim kurajo protestës së drejtë të qytetarëve që tashmë ka nisur, për të drejtat e tyre, s’kërkojnë lëmoshë, e ka detyrim shteti, ai urdhëroi mbylljen e biznesit. Ligji i fatkeqësive natyrore e ka të shkruar që për çdo dëm material financiar që u vjen qytetarëve shteti duhet t’i përgjigjet me ndihmë financiare.
Edhe për ato pak para që ka ndarë me pikatore që nuk përbëjnë asnjë përqindje të nevojës. Pyetja sot është ku janë lekët e taksave të rritura të shqiptarëve. Taksat e cmimit të energjisë, të naftës, pse nuk u vihen sot në dispozicion njerëzve?…”, tha ai. “Opozita, – vijoi ai,- mbështet me të gjitha format e mënyrat protestat e qytetarëve për të kërkuar e fituar të drejtat e tyre e për t’i dhënë fund dështimit nga qeveria”.
“Ajo që nuk do bëjmë është të shfrytëzojmë këtë zemërim popullor të drejtë për interesat tona politike, por do mbështesim gjithë qytetarët në kërkimin e të drejtave të tyre. I thua rri në shtëpi e nuk i tregon planin që ke për ta nxjerrë vendin nga kriza, i thua rri në shtëpi e nuk i jep një kacidhe, bëhet e gjitha që dhjetra veta të marrin qindra milionë euro të taksave të shqiptarëve, Rama këtë mundohet ta kalojë me sulme ndaj opozitës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje