Futboll

Dënimi i parë për trukim ndeshjesh në Spanjë, 2 klube të përfshira

Vjen dënimi i parë në Spanjë për trukim ndeshjesh. Bëhet fjalë për sezonin 2013-14 në La Liga dhe të përfshira në këtë çështje janë Osasuna dhe Betis. Gjykata e Navarrës ka shpallur të fajshëm 9 persona, të cilët ndikuan në fazën finale të atij sezoni, duke kurdisur rezultatin e dy ndeshjeve, Betis-Valadolid dhe Osasuna-Betis.

Dy ish-lojtarë të Betisit, Amaja dhe Ksavi Torres, ende në aktivitet me klube të tjera, si dhe pesë ish-drejtues të Osasunës janë mes personave të dënuar me burg. Klubi nga Pamplona, që atë sezon përpiqej të shmangte rënien nga kategoria, u ofroi lojtarëve të Betisit 650 mijë euro, 400 mijë për të mundur Valadolidin dhe 250 mijë për të humbur kundër Osasunës në dy javët e fundit të kampionatit. Drejtuesi i Osasunës, Angel Vizkai, është dënuar me 8 vjet heqje lirie për mashtrim sportiv dhe falsifikim llogarish e dokumentesh.

Nga ndeshja Osasuna-Betis, 2-1, që rezulton e trukuar. Gazeta Si, 24 prill 2020

Nga një vit janë dënuar Amaja dhe Ksavi Torres, plus 900 mijë euro gjobë dhe dy vjet pezullim nga çdo aktivitet futbollistik. Miguel Arçanko, Juan Antonio Paskual, Jesus Peralta, Sanço Bandres, Kristina Valencia dhe Albert Nola janë personat e tjerë të përfshirë në këtë çështje. Betisi, i rënë nga kategoria në atë kohë, fitoi 4-3 kundër Valadolidit dhe humbi 2-1 ndaj Osasunës, që e mbylli kampionatin në vend të 18-të dhe gjithsesi nuk mundi të shpëtonte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë