Politike

Kryemadhi nuk përjashton protestat: Rama-Meta? S’ka afrimitet njerëzor!

Monika Kryemadhi nuk sheh asnjë afrim në planin njerëzor mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, ndërsa shpërfill afrimitetin politik të treguar kohët e fundit mes Kryeministrit dhe Presidentit.

“Nuk më intereson fare se çfarë ndodh midis Presidentit dhe Kryeministrit politikisht. Njerëzillkshëm më intereson, sepse normal jetojmë në një shtëpi, por nuk shoh që të ketë ndonjë dashuri nga ana njerëzore. Nga ana institucionale janë punët e tyre le t’i zgjidhin vetë dhe përgjegjësia e secilit prej tyre qoftë e Presidentit, qoftë e Kryeministrit është individuale”, deklaroi kryetarja e LSI-së.

Kryemadhi foli në një intervistë për “Report TV”. Zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 23 qershor e cilësoi “gomarllëk” dhe akuzoi Qeverinë për mungesë transparence, edhe me ndarjen e pakove me ndihma për qytetarët në nevojë.

Kryetarja e LSI-së ndau bindjen se opozita është e bashkuar sa i takon qëndrimit për masat e ndërmarra nga Edi Rama për të përballuar krizën e shkaktuar nga koronavirusi dhe me këtë nënkuptoi edhe mbështetjen e idesë së pamohuar nga Lulzim Basha për protesta. Si shembull për të protestuar mori Izraelin, ku njerëzit u tubuan pak ditë më parë kundër Kryeministrit Benjamin Netanjahu, që akuzohet për korrupsion. Protestuesit dolën me maska dhe doreza në duar dhe në shesh respektuan distancën prej 1.5 metra nga njëri-tjetri.

“Protestat? Jemi të gjithë bashkë. E patë në Izrael çfarë u bë, që ka kushte më të këqija se Shqipëria. Izraeli është në luftë, ne nuk jemi në luftë. Ne jemi në një luftë virtuale me virusin”, tha Kryemadhi”, u shpreh ajo.

E vetmja meritë që Kryemadhi i njohur Qeverisë ishte ndalimi i makinave, që sipas saj ka ulur ndotjen në Tiranë, ndërsa kërkoi ulje taksash dhe foli për abuzime me faturat e energjisë elektrike. Kryemadhi kërkoi një strategji sesi të rinisin nga puna motorët e ekonomisë.

“Ne duhet të fillojmë t’i krijojmë mundësi të paktën ekonomisë që të fillojë të lëvizë dhe duhet të krijojmë disa mundësi edhe për turizmin. Mos të harrojmë që turizmi do të jetë fusha që do të vuajë më shumë. Mos të flasim më për bujqësinë, që edhe bujqësia është dëmtuar jashtëzakonisht shumë. Pastaj mos të flasim për biznesin e vogël dhe për biznesin e madh”, u shpreh kryetarja e LSI-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë