Tërmet në futbollin grek. Sipas “SDNA” dhe të tjera medieve sportive e jo vetëm në Greqi, klubi i madh i Olimpiakosit rrezikon shumë të bjerë nga kategoria, për shkak të dyshimeve të forta të disa ndeshjeve të trukuara.
Në qendër të skandalit të trukimit është ndeshja e 4 shkurtit të vitit 2015 kundër Atromitosit, një tjetër klub që mund të bjerë një kategori më poshtë. Akuza lidhet me artikullin 27 të kodit të sjelljes, ose më saktë me trukimin e ndeshjeve për qëllime bastesh. Ndëshkimet në këtë rast janë të rënda: zbritje nga kategoria, 3 milionë euro gjobë dhe përjashtim përjetë nga bota e sportit për personat përgjegjës. Një skandal që përfshin jo vetëm klubin nga Pireu, por gjithë futbollin grek. Përveç presidentit të Olimpiakosit, Evangelos Marinakis, pronar edhe i Notingham Forest, hetimi i Komisionit të Etikës në Federatën Greke të Futbollit ka përfshirë edhe 28 persona të tjerë.

Tani pritet vetëm vendimi i departamentit të drejtësisë në Federatën Greke të Futbollit për të ndryshuar historinë e Olimpiakosit. Por ky “tërmet” mund të tronditë edhe klube të tjera. Hetimi kishte nisur që në vitin 2014 dhe ishte mbyllur për mungesë provash, por më pas u rihap, duke përfshirë të tjera ndeshje të dyshuara si të manipuluara dhe këtu rezulton i përfshirë edhe Panathinaikosi. Ndeshjet e dyshuara janë Veria–Olimpiakos, Veria–OFI, OFI–Panathinaikos dhe Olimpiakos-Atromitos të vitit 2015, si dhe Asteras Tripolis-Olimpiakos e vitit 2014.
Gjykata Supreme pak ditë më parë kishte konfirmuar se Marinakis dhe të dyshuarit e tjerë do t’i nënshtroheshin procesit. Tani pritet të zbardhet vendi, që mund të ndryshojë shumë gjëra në futbollin grek.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje