Politike

Situata në vend, Basha mbledh drejtuesit në rrethe të PD

Lulzim Basha bisedoi në distancë me drejtuesit dhe përfaqësuesit kryesorë të Partisë Demokratike në rrethe, një praktikë e ndjekur nga ai më së shumti para protestave të vitit të kaluar. Përmes rrjeteve sociale, Basha bën një panoramë më shumë se të zymtë të gjendjes në të cilën ndodhet vendi.

“E përbashkëta kudo është që qytetarët janë në vështirësi për të siguruar jetesën e përditshme. Shteti ka lënë në harresë mijëra familje në nevojë dhe biznese. Shumica nuk kanë marrë akoma asnjë ndihmë apo mbështetje nga qeveria, ndërkohë që ju duhet të paguajnë edhe faturat e rritura të dritave dhe ujit”, deklaroi ai.

Kreu i PD-së zotohet se opozita do të vazhdojë të mbajë kontaktet me qytetarët për të qenë zëri i problemeve dhe halleve të tyre të përditshme, sidomos në këtë periudhë të vështirë që po kalojnë.

“Pa asnjë vonesë, qeveria duhet të shpërndajë fondet e mbijetesës dhe të përfshijë menjëherë të gjithë familjet dhe njerëzit në nevojë. Të mbështesë sipërmarrjen në vështirësi mbijetese, biznesin e vogël, fermerët, fasonët, bizneset prodhuese dhe turizimin, pa përjashtuar askënd”, u shpreh Basha.

Kryeopozitari thotë se pikërisht për këto ditë shqiptarët kanë paguar për shtatë vite taksa ndër më të lartat në rajon.

“Shqiptarët kanë sot nevojë për ndihmën që ju takon nga shteti. Qeveria nuk mund t’i fshihet përgjegjësisë”, mbyll postimin e tij kreu i PD-së.

Video-konferenca me përfaqësuesit demokratë në të gjithë Shqipërinë mbërrin dy ditë pasi Lulzim Basha nuk përjashtoi mundësinë e protestave të opozitës. Derën e protestave e la hapur edhe Monika Kryemadhi një ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë