Pasi Gjykata Administrative e Pragës i deklaroi kufizimet në krizën e Covid-19 si jo në pajtim me ligjin, qeveria çeke brenda pak orësh i anuloi të gjitha kufizimet në lirinë e lëvizjes, që nënkupton edhe hapjen e kufijve. Për aktivistë të të drejtave të njeriut si Anna Šabatová e bashkëshortin e saj, Petr Uhl ky është një lajm i mirë. “Filloi të na shqetësojë, kjo që nuk mund të lëvizim më të lirë legalisht”, thotë Šabatová. Të dy kanë një shtëpi pushimi në Gjermani, 1,7 km larg nga kufiri. “Asnjë përjashtim nuk u bë për ne”, thotë Šabatová.
Edhe regjisorja polake, Krystyna Krause, që jeton prej vitesh në Pragë, e mirëpret vendimin. Ajo thotë se në fillim të “kësaj çmendurie të Covid-19” asaj i është dashur të qëndrojë e bllokuar në një fshat në Boheminë Jugore. Producenti i filmit, Petr Jančárek rrëfen si i kishte kaluar ditët e krizës së Covid-19. “30 vite, një gjysmë jete nuk lejohesha të udhëtoja në Perëndim. Mu kujtua sërish ajo kohë”, thotë Jančárek që është tashmë i lehtësuar.

Ngjarja e ditës
Të enjten (23.04.) Gjykata Administrative e Pragës i deklaroi si shkelje ligjore katër rregullore të Ministrisë së Shëndetësisë. Dy prej tyre kufizonin lirinë e lëvizjes, të tjerat tregtinë me pakicë. Gjykatësi, Štěpán Výborný argumentoi se kufizimet e të drejtave bazë lejohen të kufizohen nga qeveria vetëm në pajtim me ligjin për krizat. Ai u dha kohë deri të hënën qeveritarëve në Çeki për të përmirësuar situatën ligjore.
Kabineti i kryeministrit çek, Andrej Babiš e shpalli më 12 mars gjendjen e jashtëzakonshme në vend për 30 ditë. Parlamenti e zgjati atë deri në fund të prillit dhe i miratoi kufizimet si i parashikon ligji për krizat. Por qeveria më vonë i tërhoqi këto vendime. Ministri i Shëndetësisë, Adam Vojtěch i futi sërish në fuqi vendimet, por këtë herë si bazë ligjore shërbeu ligji për mbrojtjen e shëndetit publik.
Eksperti për shëndetësinë, Ondřej Dostál, që e hodhi në gjyq qeverinë u tregua i gëzuar për vendimin e gjykatës. “Nga pikëpamja e një shteti demokratik kemi ecur edhe një hap përpara”, tha ai në bisedë me gazetën “Hospodářské Noviny”. Avokati mbrojtës i njohur në Çeki, Tomáš Sokol, u shpreh ndërkaq se “qeveria e braktisi zonën relativisht të sigurtë ligjore, që i jepte ligji për krizat për të vendosur kufizime dhe zgjodhi me rrezik ligjin e mbrojtjes së shëndetit si arsyetim për të njëjtat ndalesa. “Nuk ishte e habitshme që gjykata nuk i pranoi këto”, thotë Sokol.
Gazetari dhe ish-ambasadori çek në Paris, Petr Janyška thotë se “ishte një vendim i rëndësishëm gjykate, që i tregon ekzekutivit, që edhe në raste krizash duhet t’u përmbahet ligjeve”. Janyška thotë se nuk do të habitej nëse kryeministri Babiš nuk do ta vinte në dyshim këtë vendim. Dhe vërtet, Ministri i Shëndetësisë, Vojtěch menjëherë ka bërë të ditur apelimin për shfuqizimin e këtij vendimi. Qeveria çeke mori vendim të premten, se do të kërkojë në parlament zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 25 maj. /DW
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje