Pak ditë pasi dekretoi ndryshimet në Kodin Penal, Presidenti Ilir Meta ngre shqetësimin se këto ndryshime mund të përdoren në mënyrë abuzive dhe të shkelin të drejtat e njeriut nëse nuk plotësohet kuadri ligjor dhe nënligjor që lidhet me zbatimin e tij.
Shqetësimi i Presidentit është përçuar përmes një letre dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komiteti i Ekspertëve dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, të vlerësojnë plotësimin e kuadrit ligjor, apo nënligjor që lidhet drejtpërdrejt me aplikimin e legjislacionit penal, si dhe përcaktimin e qartë dhe shterues të listës së sëmundjeve infektive të rrezikshme, që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme, procedimin administrativ apo penal”, thotë Presidenti.
Meta deklaron se deri më tani nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar se në çfarë faze është puna për plotësimin e kuadrit ligjor, që siç thotë ai, të mos lihet shteg për abuzim me normat e parashikuara në Kodin Penal.
“Deri më sot, nuk kemi administruar informacion zyrtar se si është punuar nga ana juaj në këtë drejtim, por sjell në vëmendjen tuaj edhe një herë nevojën për bashkëpunim dhe koordinim mes institucioneve shtetërore përgjegjëse për sa më sipër. Ritheksoj se, zbatimi i ndryshimeve në Kodin Penal që përmbajnë figurat e dy veprave të reja penale, e që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me situatën në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë COVID- 19, nuk duhet të lërë asnjë shteg për keqinterpretim sa i takon rrethit të subjekteve dhe veprimeve apo mosveprimeve që ngarkojnë me përgjegjësi penale”, deklaron Meta.
Presidenti bën thirrje që paralelisht me plotësimin e kuadrit nënligjor, të ndërmerret gjithashtu edhe një fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese për qytetarët, para se ndryshimet e Kodit Penal të hyjnë në fuqi.
Ndryshimet në Kodin Penal u votuan në Parlament gjatë seancës së 16 prillit. Më 22 prill, Presidenti Ilir Meta i dekretoi këto ndryshime, por duke kërkuar në arsyetimin ligjor të dhënë plotësimin e kuadrit ligjor e nënligjor dhe hartimin e një liste me sëmundje infektive, përhapja e të cilave është e dënueshme sipas normave të reja të Kodit, para se ky kod të hyjë në fuqi.
“Përpos sa më sipër, lind nevoja e një bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për hartimin e udhëzuesve integralë që do të orientojnë Policinë e Shtetit, dhe sistemin e drejtësisë penale në tërësi, për aplikimin e dispozitave të reja të Kodit Penal, bazur në kritere të qarta teknike dhe aktet ligjore e nënligjore në fuqi që lidhen me kuptimin e termave si “gjendje e epidemisë”, “masa të jashtëzakonshme”, “urdhër i organeve kompetente për karantinim ose izolim”, “person mbartës”, “detyrimi i njoftimit nga autoritetet shtetëtrore përkatëse”, apo “sëmundje infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin””, shkruan Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje