Lojtarët e Lacios prisnin që më 4 maj të ktheheshin në Formelo, në qendrën e tyre stërvitore, për të vazhduar punën, por janë zhgënjyer nga vendimi i fundit i qeverisë për ta spostuar datën e rifillimit më 18 maj. Mesfushori Marko Parolo, për mikrofonat e “Lazio Style”, është shprehur:
“Nuk e prisnim këtë lajm. Është lejuar stërvitja individuale dhe nuk e kuptoj pse ne futbollistët, me një qendër sportive, nuk mund të stërvitemi rregullisht në fushë, duke mbajtur distancë. Të kthehesh në terren dhe të kesh kontakt, janë dy gjera të ndryshme. Nuk ka sens, mund të vraposh në park dhe jo në një qendër sportive, ku ka më shumë siguri. Futbollistët janë penalizuar. Në fushën tonë mund të stërvitemi edhe pa pasur kontakt, me ushtrime të ndryshme”.

Edhe Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, ka folur për këtë çështje, duke kaluar në sulm direkt: “Pas vendimeve të fundit na krijohet përshtypja se jemi të diskriminuar. Kam dëgjuar se duhet të mbrojmë shëndetin e njerëzve, pastaj i dërgojnë futbollistët të vrapojnë në park, në mes të njerëzve dhe jo në qendrat sportive, me masa më të sigurta. Aktiviteti është pezulluar prej dy muajsh, një kohë e gjatë. Nuk e di cili është qëllimi, por futbollin nuk e ndihmon aspak.
Jemi të vetëdijshëm për situatën dhe duhet të jemi të kujdesshëm për të vlerësuar sakrificat, por kështu nuk është mirë. Futbolli është një favor social i rëndësishëm për vendin. Nuk duam të hapim stadiumet, vetëm të përfundojmë kampionatin sipas rregullave. Kemi fituar në fushë mundësinë të luftojmë për titull, por janë edhe 12 ndeshje. Duam ta mbyllim kampionatin edhe për sistemin futbollistik italian. Në Gjermani, presidenti i Federatës dhe eksponentët kryesorë të klubeve kanë mbajtur qëndrim të qartë për rifillimin, është në lojë vazhdimësia e sistemit futbollistik të vendit. E njëjta gjë vlen edhe për Italinë dhe nuk e kuptoj pse skuadra si Juventusi, Interi dhe Milani nuk mbajnë asnjë qëndrim”, – ka theksuar Tare mes të tjerash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje