Politike

Beqaj propozoi uljen e pagave dhe pensioneve, PD: Eksperiment i Ramës

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj propozoi përmes një postimi në rrjetet sociale që për të përballuar koston financiare të krizës së shkaktuar nga koronavirusi të uleshin pagat në sektorin publik e privat, si dhe të rishikoheshin disa kategori pensionesh.

Beqaj deklaronte në një postim personal se kriza duhej të përballohej nga të gjithë dhe të gjithë duhet të sakrifikonin për përballimin e kostove të saj, ndërsa shprehej i hapur në postimin në fjalë për ide dhe propozime të tjera.

Por, Partia Demokratike thotë se propozimi i hedhur nga Ilir Beqaj për uljen e pagave dhe të pensioneve për të përballuar koston financiare të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit nuk është një ide personale e ish-ministrit të Shëndetësisë, por eksperiment i rrezikshëm i Edi Ramës.

“Edi Rama ka nisur një eksperiment të ri dhe shumë të rrezikshëm me shqiptarët. Përmes Ilir Beqajt, një nga ministrat e tij më të diskretituar si të korruptuar, Edi Rama propozon uljen e pagave në sektorin publik e privat, si mënyrë për të furnizuar qeverinë me parà. Një propozim kriminal dhe i papranueshëm për çdo qeveri, që vendos të parin interesin e qytetarit”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Bardhi thotë se propozimi në fjalë synon që të kalojë koston e krizës tek qytetarët dhe tek më të pamundurit, ndërkohë që nuk preken paratë e koncesioneve, që opozita i vlerëson si korruptive.

“Ditën kur propozon uljen e pagave të qindra mijëra njerëzve, Edi Rama ka paguar për PPP mafioze të inceneratorit të Tiranës 650 mijë euro. Po të mos kishte hallin e biznesit të vet me mafian e plehrave, me kaq parà, Edi Rama mund të kishte siguruar pagën e 3125 njerëzve të mbetur pa punë”, vijoj Sekretari i Përgjithshëm i PD.

Sipas Partisë Demokratike, Qeveria është në gjendje financiare që të mbulojë koston e krizës, nëse do të anulojë koncesionet që i vlerëson korruptive.

“Qeveria ka akoma të paktën 220 milionë euro të paprekura nga koncesionet korruptivë dhe shpenzimet e luksit që ka planifikuar për këtë vit. Qeveria ka parà, por Edi Rama nuk heq dorë nga pagesat për aferat e pista, duke paguar klientët e tij me paratë e shqiptarëve. Vetëm për kompanitë e Ministrit më të keq të Shëndetësisë në të gjitha kohërat, Edi Rama ka paguar 40 milionë euro në 6 vjet”, thotë PD.

Opozita nuk e sheh si zë të izoluar individual idenë e Ilir Beqajt, që propozoi uljen e pagave në sektorin privat e publik, si dhe uljen e pensioneve për të përballuar krizën financiare.

“Prandaj, e përdor tani Ilir Beqajn për të testuar qytetarët deri ku mbajnë. Ky është një nga qëllimet pse ai zgjati pa asnjë kuptim gjendjes e fatkeqesisë natyrore. Kërkon të mbajë me në këmbë qeverinë e tij të falimentuar duke vjedhur edhe djersën e ndershme të shqiptarëve. Ky është një tjetër projekt për të vazhduar grabitjen në kohë pandemie dhe për të fshehur dështimin e tij!”, tha Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë