Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit të ri qeverisës këtë të mërkurë. Pjesë e qeverisë së re me Kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së do të jetë AAK, Nisma, AKR dhe Lista Serbe.
Vetë Hoti njoftoi se partitë kanë arritur parimisht dakordësinë mes tyre, ndërsa mbetet vetëm përcaktimi i detajev të marrëveshjes. Ai nuk foli për emrat që do ta përbëjnë ekzekutivin e ri, por tha se më me rëndësi janë parimet.
Megjithatë, mediat në Prishtinë raportojnë se Qeveria e re pritet të ketë 15 ministri, ku katër do t’i kalojnë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, që do të marrë gjithashtu edhe një post zv.Kryeministri, Nisma dy ministri dhe dy ministri dhe një post zv.Kryeministri do të ketë Lista Serbe. Mbetet e paqartë ende se në çformë do të hyjë Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit në Qeverinë e re.
Avdullah Hoti tha se dy do të jenë çështjet kryesore që do të trajtohen me urgjencë nga Qeveria e kryesuar nga LDK, epidemia e koronavirusit dhe rikthimi i miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi të vetëdijshëm që marrim qeverisjen e vendit në një situatë të vështirë me pandemi, me nevojën që shpejt të ndërhyjmë në ekonomi dhe të kthejmë miqësitë që janë lënduar gjatë këtyre javëve dhe muajve të fundit”, deklaroi Hoti.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes LDK do t’i drejtohet Hashim Thaçit për ta njoftuar se plotëson kushtin e vendosur prej tij se do të mandatojë këdo që siguron shumicën qeverisëse në Parlament, duke shmangur kështu zgjedhjet e parakohshme.
Megjithatë, Vetëvendosje e cilëson këtë një manovër antikushtetuese dhe se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e këtij vendimi të mundshëm. Një tjetër përpjekje e VV për të shtyrë në kohë formimin e koalicionit të ri është edhe ideja e vendosjes në karantinë 2-javore të Behgjet Pacollit, që kthehet këtë të mërkurë nga Zvicra në Kosovë.
Isa Mustafa e cilësoi këtë një vendim tërësisht politik, që nuk ka lidhje me parandalimin e përhapjes së Covid-19.
“Paralajmerimi (i Ministrisë së Shëndetësisë) se nëse vjen Behgjet Pacolli nga Zvicra do të vendoset në karantinë, është vendim politik. I izolimit të një deputeti. Të përfaqësuesit të popullit! Ministria s’mund të marrë vendime të tilla pa e parë dokumentacionin e z. Pacolli për gjendjen e tij shëndetësore, të cilin vlerësim nuk e bëjnë zyrtarët e ministrisë por ekipet e mjekëve”, shkroi Mustafa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje