Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka rihapur dy tenderat për rindërtimin në zonat rurale të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Në lojë janë rreth 10 miliardë lek, që do të përdoren për rindërtimin e banesave individuale dhe infrastrukturës mbështetëse për to.
Pjesa më e madhe e fondit shkon për rindërtimin e banesave individuale, rreth 6.1 miliardë lek. Në dokumentet e bëra publike në Agjencinë e Prokurimit Publik përcaktohen edhe modelet e banesave individuale, që do të jenë 1+1, 2+1 dhe 3+1. Mënyrat e ndërtimit janë dy. E para me strukturë metalike dhe material parafabrikat, ndërsa e dyta sipas ndërtimeve tradicionale.
Në të dyja rastet, vlera e ndërtimeve për një banesë duhet të jetë në kufirin nga 2.1 mln lek deri në 3.1 mln lekë, në varësi të madhësisë së banesës individuale që ndërtohet.
Fondit Shqiptar të Zhvillimit i është besuar zbatimi i projekteve të rindërtimit në pjesën dërrmuese të zonave rurale të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit, me përjashtim të zonave rurale që janë pjesë e Bashkisë së Tiranës, të cilat do të rindërtohen nga vetë ky institucion.
Sipas projekteve të Ministrisë së Rindërtimit, FShZh do të ndërtojë rreth 2500 shtëpi individuale në Kavajë, Krujë, Lezhë, MIrditë, Shijak, Vorë, Durrës dhe Kamëz.
Kjo është hera e dytë që Fondi Shqiptar i Zhvillimit hap garën për ndërtimin e 2500 banesave individuale. Në thirrjen e parë të hapur në muajin mars tenderi u anulua me arsyetimin se asnjë kompani nuk përmbushte kriteret e kërkuara në këtë tender.
Edhe thirrja e parë në tenderin me vlerë rreth 1.8 mld lek i Bashkisë së Tiranës dështoi po për të njëjtat arsye dhe pritet rihapja e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje