Në një emision live, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, qëroi fytin dhe ngriti zërin:
“… Ka ikur koha e opozitave që bërtisnin. Ka ardhur koha e një opozite që formulon qëndrime, kundërshton padrejtësitë, denoncon aferat, jep alternativën. Këtë opozitë duan qytetarët sot, këtë opozitë udhëheq unë. Opozita që ulërinte nga maja e kokës nuk ekziston më. Atyre që u vjen keq u kërkoj falje; s’ka më opozitë që ulëret…”
Deklarata e beftë (por jo e para e këtij lloji) u përcoll edhe nga zyra e shtypit e PD-së.
A ishte kjo një përgjigje e përgatitur. Edhe nëse po, kujt i drejtohet dhe çfarë vlere ka?
Ai nuk ka pse të kompleksohet as kur gazetari e pyet fare hapur se për çfarë shërben opozita sot? Për të këshilluar qeverinë?
Sepse Lulzim Bashën e frustron ky përceptim. Dhe jo me kot.
Nuk ka asgjë të ngresh zërin sot, sigurisht kur ke argument. E bëri Ilir Meta më 2 Mars dhe komentohet ende..
…Sepse më shumë se për hallin e biznesit fason, Lulzim Basha duhet të bërtasë për atë, punëtoren që denoncoi “Live” me zë e me figure, se çfarë ndodh brenda dyerve të fasonerisë. (Askush nuk u mor nga PD-ja me ato ç’ka ajo tha).
Ai duhet të bërtasë më shumë edhe kur çon Albana Vokshin apo Oriola Pampurin bash tek dera e fasonerive, por pa përcjellë zë brenda dhe pamje se si punohet.
Lulzim Basha duhet të bërtasë më shumë për pagën e luftës pa kaluar rëndom në statistika shifrash. Ai duhet të flasë me emra e mbiemra konkret për ata që sot u është mohuar pa të drejtë kjo ndihmë.
Lulzim Basha duhet të bërtasë për ndihmat e dhëna nga qeveria, me shifra dhe emra konkret, pa e centralizuar problemin tek një dokument që as nuk merrej vesh se sa e saktë ishte për kohën se kur i referohej.
Lulzim Basha duhet të bërtasë më shumë edhe për tenderat kur ka shkelje, pa kaluar në një debat krejt pa vlerë a ishin apo jo sekrete. Sepse në fund të fundit nuk ka rëndësi forma, por përmbajtja.
Lulzim Basha duhet të bërtasë më shumë edhe për ata që sot shfryjnë më shumë në Facebook-un e Sali Berishës apo Ilir Metës sesa tek adresa e tij.
Lulzim Basha duhet të bërtasë më shumë për atë, të papunin, për ata që nuk paguajnë dot dritat dhe ujin, për ata që u është rritur taksa me pa të drejtë, për atë që zbaton rregullat dhe ligjin por i rrethuar nga 1001 kokë- çarje sa kalon pragun e derës, për shkeljet, babezinë, për të pasurin, për shoqërinë e mesme që ka mbetur në vend-numëro, për pensionistin dhe idenë e rrezikshme për t’i ulur pensionin, për profanin apo akademikun, të aftin apo të paaftin…etj.
Lulzim Basha duhet të bërtasë më shumë që nesër t’i behë në derë edhe Jozefina Topalli, Astrit Patozi apo Majlinda Bregu, që i hoqi me një të rënë të lapsit. Sali Berisha e bëri në 2005-ën me gjithë mekatet e tij politike. Por bindi.
Lulzim Basha duhet të bërtasë më shumë edhe për atë elektoratin gri, që ka mbetur as majtas e as djathtas, më keq akoma nuk shkon as të votojë. Po dhe po.
Lulzim Basha duhet të bërtasë më shumë edhe ndaj atyre që sot thyejnë rregullat me dy këmbë sepse halli fundja është i përbashkët.
Lulzim Basha duhet të bërtasë më shumë edhe për situatën me shkollat, pasojat e mësimit on-line, problematikat, për konviktet që vijojnë të paguhen nga studentët edhe pse nuk jetojnë aty…
Lulzim Basha duhet të flasë edhe në emër të shoqërisë civile, që fatkeqësisht është pa zë, apo sindikatave që kanë humbur pa nam e nishan e ku interesin e lidhin vetëm me xhepin e tyre.
Lulzim Basha nuk e ka luksin të humbasë asnjë. Nëse do të vijë në pushtet.
Milton Friedman do të thoshte se, “vetëm një krizë e vërtetë ose e përceptuar prodhon ndryshimin e vërtetë. Dhe kur kjo krizë ndodh, atëherë veprimet që ndërmerren varen vetëm nga idetë që qarkullojnë përreth”. Dhe Basha duhet t’i kapë ato.
Edhe duke bërtitur. Nuk na gjen gjë…sepse veshët nuk shurdhohen nga idetë, por nga heshtja
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje