Ish-kryeministri Ramush Haradinaj duket se do jetë në pushtet, edhe pse dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit korrikun e kaluar.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë arritur sot zyrtarisht marrëveshjen për formimin e një koalicioni qeverisës. Lajmi është konfirmuar para gazetarëve nga vetë Haradinaj, pas takimit me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa.
“Sapo përmbyllëm një takim me Mustafën dhe me të nominuarin për kryeministër të LDK-së Avdullah Hotin dhe ne arritëm marrëveshjen për krijimin e Qeverisë së re”, ka thënë Haradinaj.
Ish-kryeministri ka treguar se partisë së tij, AAK-së do t’i takojnë katër ministri dhe postii i zëvendëskryeministrit. AAK merr Ministrinë e Drejtësisë, Arsimit, të Punëve të Jashtme dhe të Zhvillimit Ekonomik
“Besnik Tahiri do të jetë zv.kryeministër i parë, Ministrinë e Jashtme do ta udhëheqë Meliza Haradinaj, Ministrinë e Drejtësisë, Selim Selimi, Blerim Kuçi do të jetë ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Ramë Lika, Ministër i Arsimit”, ka thënë Haradinaj.
Procedurat për formimin e qeverisë së re pasojnë mocionit të mosbesimit nga LDK-ja kundër qeverisë tashmë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti. Në mesin e arsyeve për ngritjen e mocionit janë përmendur marrëdhëniet që së fundmi ka Kosova me Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm.
Kurti në anën tjetër ka thënë se do ta sfidojë vendimin për formim të qeverisë së re nga LDK-ja në Gjykatën Kushtetuese. Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit të ri qeverisës këtë të mërkurë. Pjesë e qeverisë së re me Kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së do të jetë jo vetëm AAK, por edhe Nisma, AKR dhe Lista Serbe.
Lidhja Demokratike, javën e kaluar hodhi propozimin që Avdullah Hoti të jetë mandatar për formimin e qeverisë së re. Ai u takua sot me disa nga partitë më të cilat tashmë në parim janë pajtuar për formimin e qeverisë dhe paralajmëroi se të mërkurën mund të pritet edhe prezantimi i përbërjes së qeverisë së re.
“Jemi të vetëdijshëm që do ta marrim qeverisjen e vendit në një situatë të vështirë, mes pandemisë dhe mes nevojën të kthejmë miqësitë që janë dëmtuar gjatë këtyre javëve dhe muajve të fundit. Por jemi të përgatitur me një ekip të shkëlqyer, unë jam shumë i kënaqur me ekipin që po formohet për këtë qeveri dhe besoj që shumë shpejt, nesër të përmbyllen të gjitha çështjet dhe do të dalim para jush e para qytetarëve me përbërjen e qeverisë së re”, tha zoti Hoti.
Propozimi për zotin Hoti pasoi kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar Lidhjes Demokratike që të provojë formimin e qeverisë. Presidenti Thaçi tha pas një takimi këshillues javën e kaluar me partitë politike tha se do t’i jap mandatin kujtdo që dëshmon se ka shumicën në parlament.
Lëvizja Vetëvendosje i cilëson këto zhvillime jokushtetuese dhe ka paralajmëruar veprime, nëse presidenti mandaton dikë jashtë kësaj lëvizjeje, e cila doli fituese në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike Arben Gashi, tha sot se është e drejtë e secilit t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse konsideron se ka shkelje.
“Letra e presidentit është një letër njoftuese dhe nuk ka bazë juridike apo kushtetuese që të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, tha zoti Gashi.
Në një takim që u mbajt sot në Lidhjen Demokratike nuk ishte e pranishme kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila votoi kundër rrëzimit të qeverisë me 25 mars. Kundër rrëzimit votuan edhe disa deputet të tjera të kësaj partie, por sipas zotit Gashi, Lidhja Demokratike i ka siguruar 64 vota dhe do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re sapo të nënshkruhen marrëveshjet dhe të marrë dritën e gjelbër nga presidenti. Lidhja Demokratike duhet të dëshmojë se ka një shumicë parlamentare para se të marrë mandatin nga presidenti i vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje