Rend dhe Ligj

SHBA mbështet me juristë shtesë Gjykatën e Lartë: Presim reduktimin e dosjeve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin Gjykatën e Lartë që të përballojë stokun e dosjeve, që është mbi 35 mijë të tilla.

Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Këshillin e Lartë Gjyqësor, përmes të cilit në strukturën e kësaj gjykate do të shtohet një trupë juristësh të specializuar që do të ndihmojnë gjykatësit që të shqyrtojnë dhe japin më shpejt vendimet për çështjet në fjalë.

“Ashtu siç mbështetëm fort miratimin e reformës në drejtësi, ashtu mbështesim edhe zbatimin e kësaj reforme. Drejtësia e vonuar është një drejtësi e mohuar. Presim që të shohim një zhbllokim të punës dhe reduktim të dosjeve sa më parë që të jetë e mundur”, deklaroi përmes Tëitter-it ambasada e SHBA në Tiranë.

Sipas memorandumit të mirëkuptimit një grup juristësh shtesë do të punësohen në Gjykatën e Lartë për të ofruar ndihmë teknike dhe juridike për gjyqtarët në shqyrtimin e dosjeve të prapambetura.

Aktualisht janë mbi 35 mijë dosje stok në Gjykatën e Lartë, që për muaj me radhë ishte jashtë funksionit, ndërkohë që me numër gjyqtarësh të reduktuar funksionon prej vitesh tashmë. Aktualisht, trupa e gjyqtarëve përbëhet nga Ardian Dvorani, Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda. Tre të fundit u zgjodhën vetëm në fillim të muajit mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë