Kontrolli i Lartë i Shtetit iu përgjigj thirrjes së Partisë Demokratike që të hetojë tenderat e shpallur sekret shtetëror nga ana e institucioneve, që sipas opozitës janë të fryrë artificialisht, korruptivë dhe klientelistë.
Përmes një njoftimi, KLSh thotë se ka ndjekur më vëmendje zhvillimet e fundit dhe u ka kujtuar gjithmonë organeve prokuruese që të tregojnë kujdes me tenderat e hedhur, duke respektuar kuadrin ligjor në fuqi dhe duke garantuar sa më shumë transparencë për publikun.
Me këtë mision, KLSh deklaron se i ka kërkuar zyrtarisht që në fillim të muajit prill Autoritetit të Prokurimeve Publike informacion mbi procedurat e tenderimit të hapura nga data 1 janar deri më datë 31 mars. KLSh deklaron se kërkesa për informacion i paraprin një procesi auditimi që ky institucion do të kryejë.
Vetë KLSh premton transparencë në përmbushjen e detyrave të veta ligjore dhe thotë se do të vijojë bashkëpunimin me institucionet e tjera ligjzbatuese, si SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme për denoncimin e rasteve të abuzimit me fondet dhe pronën publike gjatë pandemisë.
Partia Demokratike i kërkoi dy ditë më parë Kontrollit të Lartë të Shtetit që të hetojë, sipas saj, abuzimin me tenderat e hedhur për përballimin e situatës së shkaktuar nga pandemia, e që janë klasifikuar si sekret shtetëror.
“Bëhet fjalë për 17 tendera të Ministrisë së Mbrojtes, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, që kanë paracaktuar fituesin në blerjen e paketave ushqimore, apo mjeteve mbrojtëse mjekësore antiCOVID”, thotë PD.
Për opozitën procedurat e ndjekur provojnë se fituesi ka qenë i paracaktuar dhe se ka rritje fiktive të çmimeve për mallrat e prokuruara.
“Pjesa dërrmuese e kontratave është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe nuk është bërë as publikimi i ofertave, as publikimi i kontratës”, thuhet në kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi drejtuar KLSh-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje