Politike

Vasili, pension 840 mijë lekë, Gjosha 900 mijë, PS e ka me pensionet suplementare

Kryeministri Edi Rama dhe zv-kryeministri Erion Braçe thanë të mërkurën se pagat dhe pensionet nuk do të preken nisur nga debati i ndezur që shoqëroi propozimi i Ilir Beqajt për uljen me 10% të pagës së të punësuarve në sektorin publik dhe prekjen e pensioneve suplementare.

Debati vijoi edhe të enjten në Kuvend. Dhe, ajo çka u la të kuptohet për diskutim në fakt lidhet me pensionet suplementare ku si Ilir Beqja ashtu edhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, iu referuan pensioneve suplementare, që përfitonin disa ish-deputetë.

Ahmetaj nuk përmendi emra, por Ilir Beqja po. Ky i fundit reagoi pas qëndrimeve kundërshtuese të idesë së tij nga deputetët Mylsim Murrizi dhe Andi Përmeti.    

“Pashë mbrëmë një debat artificial të stisur kur një ish ministër e deputet propozon që ta kalojë këtë situatë krize, dhe unë në fakt e mbështes, që t’i heqim pensionin pensionistëve… çfarë i duan dhe vonë doli shpëtimtari dhe tha: lene se jam unë këtu…Ishte zgjidhje e mirë, të merrnin 3 mijë lekë në muaj… U mjafton vetëm një buk në ditë dhe në rregull janë…”, tha Murrizi.

“…Të bësh propozim në këtë kohë ose duhet të jesh i çmendur ose i pashpirt, ose të dyja bashkë…”, reagoi Andi Përmeti.

Ilir Beqja u detyrua të japë një shpjegim;  “Cfarë kam shkruar unë nuk kam pse ta përsëris mund ta lexoni. Nuk jam marrë me pensionistët fare… Nuk jam marrë me pensionet. Por, po të bëj një pyetje: Propozimi im që pensionisti Petrit Vasili të mos marrë pension 840 mijë lekë, por 630 mijë lekë, pse është i pamoralshëm?  Pensionistja Klajda Gjosha të mos marrë 900 mijë lekë por 670 mijë lekë pse është kriminale? Po ta lexosh kam thënë që të gjithë punonjësit që janë në ballë të luftës të mos preken…”

Për pensionet suplementare foli edhe Arben Ahmetaj.

“Ne nuk kemi ndërmend të prekim pensionet e askujt, por ne sapo i rritëm dhe do vazhdojmë t’i rrisim. Pastaj e dini çfarë ka pensione suplementare dhe ka ish-deputetë që marrin 4-fishin e asaj që merr një familje normale…”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë