Qeveria ka dorëzuar në Parlament për ratifikim një kredi prej 174 mln eurosh, duke kërkuar miratimin e deputetëve për këtë marrëveshje dhe marrëveshje të tjera të këtij lloji që mund të pasojnë, pasi parashikimet thonë se niveli i borxhit pritet të kapërcejë kufirin ligjor prej 70 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) me gjasë brenda këtij viti.
Duke parë shtrëngesën financiare të Shqipërisë, FMN duket se ka rënë dakord që borxhi të kalojë kufirin ligjor, por në këmbim ka marrë dy premtime nga qeveria shqiptare: Se do t’i shtyjë për në një moment tjetër ngritjen dhe funksionimin e Korporatës së Investimeve dhe zbatimin e amnistisë së përgjithshme fiskale.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar me Fondin Ndërkombëtar Monetar, Shqipëria i merr këto 174 mln euro kredi me procedura të përshpejtuara për të përballuar situatën ekonomike e financiare të shkaktuar nga Covid-19.
Në relacionin shoqëruar, Qeveria thotë se pandemia shkaktoi një goditje të fortë për ekonominë dhe financat e vendit dhe shumë nga fondi në fjalë do të shfrytëzohet jo vetëm për përballimin e kësaj krize, por edhe për shlyerjen e kredive të tjera.
“Nevoja si për likuiditet, ashtu edhe financim të detyrimeve gjatë vitit 2020, ku duke marrë në konsideratë edhe risqet e shtuara për dinamikën e situatës, bën të domosdoshme gjetjen e mënyrave sa më të shpjeta dhe më efektive për mbulimin e këtyre nevojave të shtuara financiare”, thuhet në relacion.
Kredia akordohet sipas Instrumentit të Financimit të Shpejtë, që FMN e aktivizon për vende të caktuara në raste emergjente. Në bazë të këtij instrumenti, kredia do t’i ofrohet Shqipërisë me një normë interesi rreth 4 për qind dhe afat shlyerje deri në pesë vjet.
Huaja prej 174 mln eurosh vlerësohet si mjaft e rëndësishme për mbulimin e këtyre nevojave financiare dhe sipas propozuesve përmirëson imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të huamarrjes, duke i hapur derën për kredi të tjera nga Banka Botërore dhe Komisioni Europian.
Në relacionin e dorëzuar në Kuvend për buxhetin 2020, Qeveria synonte uljen e borxhit publik me 4 për qind deri në 2022, një rritje ekonomike me 4.1 për qind për këtë vit dhe deficit buxhetor 1.6 për qind të PBB-së dhe borxh publik 62.2 për qind, duke e ulur me rreth 2 pikë në krahasim me 2019.
Deri para pandemisë së koronavirusit, FMN ishte kundër rritjes së borxhit, por me situatën e re të krijuar nga kriza e sheh rritjen e nivelit të tij edhe përtej kufirit ligjor që është 70 për qind, si një mundësi për të shpëtuar ekonominë dhe pasojat sociale e shëndetësore të Covid-19.
Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi më 10 prill kredinë e pakushtëzuar. Për miratimin e kredisë në fjalë për Shqipërinë, bordi ekzekutiv i FMN-së ka marrë parasysh dy fatkeqësi natyrore që kanë prekur vendin tonë në muajt e fundit, tërmetin e 26 nëntorit dhe pandeminë e koronavirusit.
Në të njëjtin publikim, FMN rendit risqet ekonomike që i kanosen vendit dhe bëhet parashikimi i zymtë se ekonomia shqiptare mund të tkurret për 2020 mei në 5.5 për qind. Megjithatë, si garanci Fondi thotë se ka marrë dy premtime të Qeverisë për të shtyrë në një kohë tjetër dy projekte, që ekspertët e FMN-së i kanë qortuar si me risk të lartë për qëndrueshmërinë financiare të vendit. Bëhet fjalë për ngritjen dhe funksionimin e Korporatës së Investimeve dhe të propozimit për amnisti të përgjithshme fiskale.
FMN thotë se autoritetet shqiptare janë duke shqyrtuar mundësi të reja për të përmbushur nevojat financiare, si kreditë nga institucionet ndërkombëtare e vendore, tërheqja e fondeve të premtuara për rindërtimin nga tërmeti në Konferencën e Donatorëve të 17 shkurtit, financimi indirekt nga Banka e Shqipërisë dhe deri tek eurobondi.
“Paralelisht me këtë, ata (Qeveria shqiptare) po shkurton shpenzimet joemergjente. Stafi (FMN) mirëpriti përpjekjet proaktive të autoriteteve për ngritjen e një plani përballimi në rast se situata përkeqësohet. Stafi (FMN) vlerëson shtyrjen e nismave komplekse politike që mund të mbartin mangësi dhe risk fiskal të lartë, si plani për një amnisti fiskale të përgjithshme dhe aktivizimi i Korporatës së Investimeve”, thotë FMN.
Megjithatë, dhjetë ditë pas kësaj deklarate të Bordit të FMN-së, Kryeministri Edi Rama njoftoi se mazhoranca nuk është tërhequr nga amnistia e përgjithshme fiskale dhe penale, duke deklaruar se brenda muajit maj ajo do të kalojë në Kuvend për miratim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje