Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, i është rikthyer jetës politike, (pas do kohësh pushim) duke zhvilluar një takim me përfaqësues të biznesit fason.
“Sot zhvillova një takim me përfaqësuesit e Fasonistëve të Bashkuar, ndamë shqetësimet emergjente me të cilat po përballet ky sektor, i cili është jetik përsa i takon punësimit masiv që realizon. Sektori fason, sipërmarrësit dhe gjithë punonjësit e tij janë goditur rëndë nga keqmenxhimi i situatës ekonomike nga ana e qeverisë. Mijëra familje të thjeshta shqiptare sigurojnë mbijetesën me pagat e realizuara në biznesin fason. Tashmë dihet që ky biznes është përballur vazhdimisht me vështirësi të shumta përsa i takon procedurave burokratike, të padrejta dhe jo stimuluese, duke funksionuar me vështirësi më të mëdha se çdo biznes fason në vendet e tjera në rajon”, tha Kryemadhi pas takimit.
Sipas saj, kërkohet një paketë urgjente ekonomike për sektorin fason, për të siguruar vijimësinë e pagesës së punonjësve dhe sigurimin e vazhdimit të këtij biznesi.
“Të mbrosh biznesin fason do të thotë të mbrosh mijëra të punësuar. Ndaj edhe një herë distancohemi prerë nga gjuha e papranueshme e qeverisë dhe mungesa e plotë e gatishmërisë për mbështetjen e këtij biznesi. Nuk kemi kohë për të humbur me propagandën e kryeministrit të Facebook-ut. Duhet të shkrijmë akujt që prej 2 muajsh kanë ngurtësuar jetën dhe ekonominë e shqiptarëve, të fitojmë kohën e humbur duke jetuar e punuar 365 ditë të vitit. Çdo ditë me vendime eksperimentale është humbje e madhe për ekonominë shqiptare, për familjen shqiptare dhe Shqipërinë”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje