Xhuzepe Kavana, portieri i Napolit në periudhën 1929- 1936, e urrente atë turpërim. Ishte gati të pësonte gol në çdo mënyrë, por jo të ulej me prapanicë në fushë nga Xhuzepe Meaca. E njihte shumë mirë, ishin shokë në kombëtare dhe e dinte “huqin” e sulmuesit të madh për të dribluar edhe portierin, aq sa u bë një markë fabrike dhe ky veprim teknik u njoh më pas si “gol alla Meaca”.
Ajo që portieri i druhej më shumë u materializua në një Napoli-Inter. Meaca ishte përballë tij, vetëm për vetëm, dhe Kavana i tha: “Gjuaj tani!” Meaca realizoi me një të djathtë precize dhe këtë episod Kavana e tregoi vite më pas. Nëse një portier flet me krenari për një gol të pësuar, ky është rasti. Kavana nuk u bë “viktimë” e atij gjesti teknik që bënte të vuanin shumë e shumë portierë. Dikush e quajti edhe “goli me ftesë” këtë veprim, sulmuesi përballë portierit, duel i pastër dhe në lojë është ajo që ka më shumë rëndësi në futboll, goli.

Meaca i ndante këto “ftesa” me shumicë dhe rregullisht. Shumë gola të tij janë fotografuar pikërisht duke dribluar portierin kundërshtar. Por le të vijmë në futbollin modern, ku futbollistët janë kthyer në ikona. Loja ka nisur të braktisë “kodet” e vjetra, por “gola me ftesë” janë parë sërish falë meritës së një djaloshi brazilian, i cili u duk se mbiu në tokë për t’i treguar botës se si do të jetë futbolli i së ardhmes, Luis Nazario da Lima, ose “Ronaldo Fenomeni”.
Të dhënat janë impresionuese: nga 414 gola të shënuar në një karrierë të ndritur, por edhe të mbushur me dhimbje e pengje, “Fenomeni” ka realizuar 88 herë duke dribluar portierin, më shumë se 20% të golave në total. Sa herë që gjendej përballë portierit, – dhe kjo ndodhte shpesh për shkak të shpejtësisë së tij supersonike, – Ronaldo mendonte vetëm për të ulur me prapanicë në fushë mbrojtësin ekstrem. Dhe e bënte këtë në mënyra të ndryshme, me numrin e pambarimtë të finteve që mund të shpikte në pak sekonda.
Si ushtarë të mbetur vetëm në një betejë, sa herë që gjendeshin përballë brazilianit, portierët e dinin se çfarë i priste. Bëhej fjalë vetëm për të kuptuar, nëse do të kaloheshin nga një “doppio paso”, apo një finte me trup. Gjithmonë “viktima” të vallëzimit të Ronaldos, për të cilin driblimi ishte gjithmonë zgjidhja më komode. Ato lëvizje rrufe në këmbët e tij nuk linin vend për shpresë te portierët.
E tregon qartë një video prej 6 minutash me gola të shënuar nga Ronaldo pas driblimit të portierit, e titullar “Ronaldo Phenomenon Vs Goalkeepers”. Një video që lë të kuptohet se mes sulmuesit dhe portierit ka një sfidë, por mënyra e kalimit aq natyrale dhe e egër nga Ronaldo, të bën të mendosh më shumë për një dënim se një duel. Në shumë nga golat e videos, nëse ndalon imazhin sapo Ronaldo gjendet përballë portierit, duket qartë se zgjedhja e driblimit, që rezulton më e rrezikshmja në raport me një gjuajtje tokazi apo një kukiaio, nuk ishte e tillë për Ronaldon, i cili ndihej më i sigurt kështu, pasi e kishte “pjatën e preferuar”. “Më pëlqen të shënoj, pasi të shmang edhe portierin. Driblimin nuk e konsideroj specialitetin tim, por një zakon timin”, ka thënë “Fenomeni”.
Ronaldo ka qenë pa dyshim interpretuesi më i madh i këtij gjesti, i paarritshëm për këdo, jo për të. Bepe Sinjori ka qenë një nga ata që shpesh tentonte driblimin e portierit, bënte sikur gjuante për të mashtruar portierin, për të shënuar më pas me të majtën. Sigurisht, nuk ishte si Ronaldo, nuk ia dilte gjithmonë, por një “armë” plus e kishte në xhep. Një specialist ka qenë edhe Roberto Baxho, i cili me këtë mënyrë të shënuari tregonte gjithë gjenialitetin e lojës së tij. “Do doja një futboll, ku driblimi i fundit, përtej portierit, të jetë një arsye shprese për jetën”, është shprehur ai.

E kërkonte këtë driblim me mënyrën e tij. Ronaldo kishte driblimin e thatë ndaj portierit, ndërsa prekja e Baxhos ishte më shumë një përkëdhelje për të hipnotizuar portierin. Të shënosh me portë bosh ka shijen e një akti përfundimtar, shijen triumfale të misionit të përmbushur. Në krahun tjetër, kalimi i mbrojtësit ekstrem, për atë që e pëson në këtë situatë, është shija e hidhur dëshpërimit të nxjerrjes së topit që ka shkuar në rrjetë para tyre.
Është goli që përmbledh formën e plotë të tij. Imagjinoni pak golat poetikë të Maradonës ndaj Anglisë, apo Mesit ndaj Getafes. Që të dy kanë dribluar gjysmën e skuadrës kundërshtare, po sikur të mos kishin bërë edhe driblimin e fundit për ndonjë arsye të çuditshme? Jo, vepra e artit duhej të kompletohej me çdo kusht në atë mënyrë, edhe me driblimin e portierit.

Sot, të shohësh një sulmues të shënojë duke kaluar edhe portierin, është diçka e rrallë dhe arsyet janë tre. E para ka të bëjë me lojën, që ka ndryshuar shumë. Futbolli i viteve ’90 është shumë larg këtij të sotmit sa që duket si një sport ndryshe në momente të caktuara. Futbolli ka evoluar në të gjithë komponentët: ato taktikë, fizikë, teknikë, mendorë dhe atletikë. Secili nga këta elementë ka shkuar drejt një shpejtësie më të madhe, që do të thotë mbyllje e hapësirave dhe më pak kohë zgjedhjeje dhe reagimi. Në këtë kontekst, është shumë e vështirë që një sulmues të gjendet përballë portierit me shumë kohë për të vendosur se çfarë do të bëjë, pasi një kundërshtar mund t’ia marrë topin. Koha që kishte Ronaldo për të vendosur cilën finte do të bënte për të kaluar portierin, nuk është më. Në rastet kur sulmuesi është një për një me portierin, zgjidhja është që të konkludojë sa më parë që të mos kapet nga mbrojtësi.
Edhe taktika ka ndikuar për zhdukjen e “golit me ftesë”. Tani bëhet më shumë presion përpara, që në fillimin e aksionit, duke bërë që linja e mbrojtjes të qëndrojë shumë lart, duke lënë shumë fushë pas, ndërkohë që portierët kanë mësuar të dalin nga shtyllat dhe ta mbulojnë ata këtë hapësirë dhe të eleminojnë topat në thellësi, duke shmangur ndërhyrjen e një sulmuesi kundërshtar. Pikërisht evoluimi i rolit të portierit është arsyeja e dytë që të mos shohim më gola të tillë. Më parë daljet e portierëve ishin kurajoze, por edhe jo të zgjuara, aq më tepër nëse përballë ishte një Baxho apo një Ronaldo, të cilët këtë gjë prisnin.

Portierët sot bëjnë atë që quhet “dalja kryq”. Një teknik që i është atribuuar shkollës së re gjermane, por realisht është bërë më parë nga amerikano-jugorët. Një dalje që sjell në mendje atë të portierëve të hokejit, që bëjnë hapa përpara, duke dalë nga porta për të hapur krahët dhe këmbët, duke tentuar pritjen. Portierët aktualë kanë fizik dhe elasticitet superior ndaj atyre të futbollit të vjetër, plus edhe më shumë njohuri për lojën, që i lejon të kuptojnë më shpejt lëvizjet e sulmuesve, të cilët më parë i kanë studiuar me video.
Aspekti i fundit që ka ndikuar në “vdekjen” e këtij gjesti tërheqës ka të bëjë me sjelljen e futbollistëve të sotëm. Edhe pse ata kanë bagazh të mirë teknik, për të vendosur të kalojnë portierin duhet edhe një dozë çmendurie, sepse të gabosh një gol përballë tij duke tentuar driblimin apo ta çosh topin jashtë fushës, është një figurë e keqe. Më mirë të gabosh duke gjuajtur në cep, ose ta përplasësh topin në trupin e portierit.
Në futbollin bashkëkohor, lojtari është i formuar me idenë për të bërë gjithmonë zgjedhjen e më të drejtë, më efikase dhe më funksionale. Dhe për sa kohë trajnerët dhe instruktorët do të përpiqen ta ndrydhin venën kreative të një lojtari, ose të paktën një pjesë të saj, atë më të çmendurën, goli pas driblimit të portierit do të zhduket. Edhe ata që e kanë nisur nga futbolli i rrugës dhe që kanë kultivuar një lloj “bixhozi” që nga fëmijëria, sapo kalojnë në një klub, shndërrohen në ushtarë shembullorë në shërbim të skuadrës. Një aspekt që ka avantazhet e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje