Australia i vjen në ndihmë Britanisë së Madhe, të paktën për futbollin. Agjenti anglez që jeton në Perth, Geri Uilliams, i ka propozuar Premier Ligës që t’i zhvillojë 92 ndeshjet e mbetura të kampionatit në kryeqytetin e Australisë, për të përfunduar kështu sezonin aktual. “Klubeve angleze u pëlqen ky propozim, ashtu si dhe disa funksionarëve të qeverisë, me të cilët kam folur”, – ka thënë ai.
Sipas “Sun”, një senator australian është gati ta mbështesë idenë e Uilliams, i cili është në kontakt me qeverinë australiane dhe Ministrinë e Sportit për të pasur mbështetjen e tyre për këtë propozim tërheqës.
“Ne bëjmë turne përreth botës para nisjes së sezoneve dhe ky skenar nuk është shumë ndryshe. Klima në Australi është ideale pikërisht tani, – ka thënë një drejtues i një skuadre angleze për tabloidin britanik, por duke preferuar të mbetet anonim.
“Perthi është qyteti më i izoluar i botës, mund të mblidhemi në grupe me nga 10 vetë, mund të shëtisim dhe të shkojmë në plazh. Janë shënuar vetëm 4 raste të infektuarish nga Covid-19 në 10 ditët e fundit”, – është shprehur Uilliams. Perthi ka katër stadiume, ku Premier Liga mund të mbyllte sezonin: “Optus Stadium” me 65.000 vende, “Perth Oval” me 20.500 vende, fushën e kriketit WACA me 24.500 vende dhe “Joondalup Arena” me 16.000 vende.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje