Partia Demokratike thotë se qindra të sëmurë kronike janë lënë në mëshirë të fatit nga sistemi shëndetësor.
“Kjo qeveri ka harruar se qytetarët kanë edhe nevoja të tjera shëndetësore, përtej këtij virusi. Kush ka patur fatin e keq të ketë një urgjencë mjekësore, që nuk është Covid-19 në këto javë, ka hasur në absurdin më të madh. Mjeku i familjes i izoluar plotësisht, ofron vetëm shërbim online për pacientët kronikë, duke i kontaktuar në telefon”, deklaroi nga selia blu, Bardh Spahia.
Opozita deklaaron se pre 2 muajsh janë pezulluar konsultat me mjekët specialistë dhe në klinikat e specialiteteve.
“Mijëra të sëmurë kronikë mbeten në mëshirën e fatit, pa mundur të dinë ecurinë e sëmundjes, pa mundur të kryejnë ekzaminime e analiza. Prej 2 muajsh janë pezulluar gjithë ndërhyrjet kirurgjikale jo urgjente, duke çuar në përkeqësimin e pacientëve me sëmundje tumorale, atyre me sëmundje kardiovaskulare etj. E njëjta situatë edhe me problematikat stomatologjike, ku çdo mjekim a trajtim i vonuar, sjell dëme të pariparueshme e me kosto për pacientët”, vijon më tej deklarata e Spahisë.
Opozita kujton se Qeveria e ka për detyrim që të marrë të gjitha masat e duhura për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe se pandemia e Covid-19 nuk mund të jetë i vetmi shqetësim.
“Mendoni edhe për nevojat e tjera shëndetësore të qytetarëve zonja ministre; jepuni mbrojtjen e duhur mjekëve dhe lejojini të ushtrojnë profesionin e tyre, ashtu sic janë betuar. Janë të domosdoshëm dhe do ishin një ndihmesë shumë e cmuar, jo vetëm për përballimin e Covid-19, por për të gjitha patologjitë e tjera shëndetësore. Çdo vonesë e mëtejshme në hapjen e sistemit shëndetësor në çdo hallkë të tij, do të shkaktonte pasoja të padëshirueshme. Nuk është cështje dëshire personale apo politike, por detyrë, kushtetuese e njerëzore!”, mbyll reagimin e tij përfaqësuesi demokrat, Bardh Spahia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje