Futboll

Klop e merr me humor: Stërvitja në shtëpi, si fëmijët 6-vjeçarë

Trajneri i Liverpulit, ekipit kampion të Europës, shpjegon se futbollistët e tij mezi presin të kthehen në stërvitje dhe të luajnë. Jurgen Klop bën edhe ndonjë batutë, teksa flet me entuziazëm për përfundimin e kampionatit, ku Liverpuli mund të kurorëzojë titullin e munguar prej 30 vitesh.

Një titull që mund t’i mohohet, në rast të një mbylljeje përfundimtare të kampionatit në këtë moment, por ky skenar ka pak mundësi të ndodhë. Për këtë arsye, skuadra e trajnerit Klop duhet të jetë gati në momentin që Premier Liga do të vendosë të kompletojë sezonin me ndeshjet e mbetura. Situata në fakt krijon jo pak probleme logjistike për përgatitjen e skuadrave.

Trajneri Jurgen Klop pohon për “NBC” se është mjaft e komplikuar për të dhe ndihmësit e tij të punojnë pa pasur një datë të saktë për rifillimin. “Nuk e di kur do të kthehemi, por duhet të jemi të përgatitur. Këtë gjë po bëjnë futbollistët e mi. Kur të shihemi sërish, duhet të shfrytëzojmë situatën në mënyrën më të mirë. Nuk e dimë sa kohë do të kemi që të përgatisim ndeshjet, do ta mësojmë kur të jemi në fushë.

Kur u japim lojtarëve ushtrime për të bërë në kopshtin e shtëpisë, duket që luajnë si fëmijët 6-vjeçarë. Është ekzaktësisht ajo ndjenjë që kërkojmë të përcjellim edhe në fushë”, – thotë trajneri gjerman. Nëse bëhet fjalë për entuziazëm, në rregull, por kushedi nëse Klop, në një nga momentet e tij klasike me humor të mirë, nuk ka dashur të theksojë se si të tijtë sikur e kanë lënë pak veten pas dore gjatë pushimit të detyruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë