Politike

Shtyhet kërkesa e Metës, KLGj do të pyesë BE e SHBA për Dvoranin

Këshilli i Lartë Gjyqësor do të vendosë nëse do të shqyrtojë apo jo kërkesën e Presidenti Ilir Meta për përfundimin e mandatit të Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë pasi të marrë më parë një mendim nga ekspertët e Euraliusit dhe të OPDAT.

Kërkesa e kreut të shtetit ishte në rendin e ditës gjatë mbledhjes që ky institucion zhvilloi këtë të martë, ku anëtarët e KLGj-së kanë dëgjuar edhe arsyetimin e dhënë nga Ardian Dvorani, që njëkohësisht është edhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Dvorani është mbrojtur para Këshillit të Lartë Gjyqësor duke e konsideruar kërkesën e Presidentit si të paligjshme. Ai thotë se Ilir Meta nuk e ka tagrin që të kërkojë deklarimin e përfundimit të mandatit të tij.

Meta kërkon nga Këshilli i Lartë Gjyqësor që të vendosë për përfundimin e mandatit si anëtar i Gjykatës së Lartë për Ardian Dvoranin e rrjedhimisht me këtë edhe largimin e tij nga posti i kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që sipas përcaktimeve kushtetuese të 2016 i takon anëtarit të Gjykatës së Lartë në KED.

Dvoranit i ka përfunduar prej kohësh mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe ka patur debate mbi kushtetueshmërinë e vazhdimit të ushtrimit të detyrës prej tij. Këtë ka shfrytëzuar Presidenti Meta, që i ka dërguar një shkresë KLGj-së ku i kërkon që të ndërpresë mandatin e Dvoranit.

Gazeta “Si” është vënë në dijeni të përmbajtjes së kësaj shkrese, ku Meta pretendon se në 2016-të, në në kohën që Kuvendi po shqyrtonte ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenet e ligjit për funksionimin e Gjykatës së Lartë, mbi bazën e të cilave Ardian Dvorani vazhdonte të ushtronte detyrën.

Presidenti thotë se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese sjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të gjyqtarit të lartë për Ardian Dvoranin dhe se ai ka vijuar ushtrimin e detyrës në shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkombëtarët nuk janë përfshirë drejtpërdrejtë në përplasjen e Metës me Ardian Dvoranin, që kulmoi me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, por pak ditë më parë ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, zhvilloi një takim me kreun e KED-së, ku në mesazhin e dhënë foli për “rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë”.

Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta thotë se nuk është njohur ende zyrtarisht me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjatë një interviste për emisionin Tempora, ai tha se çështja është shumë e thjeshtë.

“Së pari unë nuk kam parë ndonjë vendim. Së dyti mendoj se kjo është nga çështjet më të thjeshta në botë dhe nuk duhet të ishte vënë në lëvizje nga Presidenti me këtë shkresë. Kjo çështje dhe të ishte zgjidhur për 24 orë, pas emërimit të z. Sadushi në Gjykatën e Lartë. Për mua kjo është një çështje elementare. Edhe një student që ka marrë 5 në fakultetin e Drejtësisë e zgjidh”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë