Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon Këshillin e Lartë Gjyqësor se po përdoret nga pushteti për interesa krejtëssiht të kundërta me ato që urdhëron Kushtetuta dhe tërësia e ligjeve të reformës në drejtësi.
Zv.kryetari i LSI-së, Luan Rama thotë se vendimi i KLGj-së për të kërkuar mendim tek Euralius dhe Opdat për çështjen “Dvorani” është në të vërtetë kërkesë për vendim nga dy shoqata, që kanë statusin e asistencës.
“Me këtë akt të shëmtuar perversiteti profesional, e në kundërshtim me atë që urdhëron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe tërësia e korpusit ligjor të reformës në drejtësi, kjo tufë, politikisht e imunizuar për t’u përdorur deri në neveri prej pushtetit me interesa krejtësisht të kundërta prej parimeve mbi të cilat u ideua reforma në drejtësi, vetëm sa na dëshmoi, e na dha edhe sot një provë tjetër të mjerimit të vet intelektual dhe të bjerrjes alarmante të skrupujve etikë dhe moralë, në raport me përmbushjen e përgjegjesive kushtetuese!”, deklaroi Rama.
Zyrtari i LSI-së thotë se ky vendim s’ka pse të habisë, pasi mediokriteti intelektual dhe perversiteti profesional, siç thotë ai, janë kriteret që ata kanë zgjedhur të përveçohen.
“Dhe janë të vetëmjaftushëm për të na bindur se cilët janë, pa na shtyrë në ngasjen gjithësesi interesante, të analizës antropologjike të kafkave që ju rëndojnë mbi supe, pasi edhe pa qenë specialistë të fushës, mund të marrim, edhe vetëm vizualisht informacione të bollshme të cilësisë së tyre intelektuale!”, thekson Rama më tej.
Nënkryetari i LSI-së thotë se anëtarët e KLGj-së jo se nuk duan të zbatojnë Kushtetutën, por nuk e njohin atë.
“Dhe nuk kanë se si ta njohin, për sa kohë nuk dinë të lexojnë, nuk dinë të shikojnë, nuk dinë të flasin! Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) nuk u bë sot, ai është që prej krijimit, monument i paamnistueshëm i injorancës në krye të drejtësisë”, mbyll reagimin e tij Luan Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje