Futboll

Gjermania fikson 15 majin, edhe Portugalia jep “ok”-in për futbollin

Bundesliga mund të rifillojë që më 15 maj? Ky është lajmi i fundit që raporton “Reuters”, duke iu referuar burimeve të ndryshme politike. Mbledhja mes presidentëve të rajoneve dhe qeverisë, e programuar për të mërkurën, pritet të marrë këtë vendim. Kancelarja Angela Merkel tha javën e shkuar se më 6 maj do të merret një vendim i qartë për futbollin.

Dhe duket se akordi është arritur për ta rifilluar futbollin në mes të majit. Skuadrat e Bundesligës kanë nisur stërvitjen që më 6 prill, por ende jo me një grup të bashkuar. Këto ditë janë bërë teste të shpeshta për futbollistët, për të dhënë më pas “ok”-in për stërvitjen e plotë. Në serinë e parë kanë rezultuar pozitivë 10 raste nga 1724 teste, kurse në serinë e dytë nuk ka pasur raste të infektuarisht.

Skuadrat e prekura janë Këlni (dy lojtarë dhe një fizioterapist), Dinamo Dresden (një lojtar), Borusia Mënshengladbah (një lojtar dhe një fizioterapist) dhe Aue (një pjesëtar i stafit). Bundesliga është ndalur më 13 mars dhe tani është gati të rinisë, natyrisht me dyer të mbyllura. Vendimi pritet të merret në mbledhjen e qeverisë. Nëse nis më 15 maj, Bundesliga do të jetë kampionati i parë nga 5 më të rëndësishmit, që nis aktivitetin.

Foto ilustruese. Një stadium në Portugali. Gazeta Si, 5 maj 2020

Edhe Portugalia do të rinisë kampionatin në fund të majit. Qeveria e ka dhënë “ok”-in për rikthimin në fushë dhe vendimi pritet vetëm të ratifikohet nga Ministria e Shëndetit. Problem është vetëm fakti që jo të gjitha skuadrat kanë stadiume që plotësojnë normat e protokollit. Nuk mund të luhet, për shembull, në ishujt Madeira dhe Azorre. Ideja është për të përdorur vetëm 9 stadiumet e Europianit 2004. Duhen 2 autobusë për çdo skuadër dhe dy uniforma për një ndeshje, nga një për çdo pjesë, teste para çdo ndeshjeje dhe numër i limituar gazetarësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë