Futbolli vazhdon të ketë ende paqartësi për kohën e rifillimit, por në anën tjetër bisedimet për merkaton dhe strategjitë e klubeve vazhdojnë. Sondazhe bëhen në çdo moment, aq më shumë për lojtarë që mund të lirohen nga klauzola e prishjes së kontratës.
Në qendër të merkatos verore do të jetë sulmuesi gjerman, Timo Verner, për të cilin thuhet se Interi e ka në krye të listës dhe se po punon në fshehtësi, çka nënkupton edhe lamtumirën e mundshme të Lautaros. Por edhe anglezët nuk qëndrojnë pas. “Bild” shkruan se ka pasur kontakte zyrtare nga Çelsi dhe Mançester Junajtid me agjentin e lojtarit, ndërsa vetë Verner pret një ofertë nga Liverpuli, destinacioni i tij i preferuar. Në mes është klauzola e prishjes së kontratës me Lajpcigun për 60 milionë euro, që para emergjencës dukej një shifër e pranueshme, por tani situata ka ndryshuar.

Interi vazhdon të monitorojë situatën, duke e ditur se koha është e paktë dhe duhet marrë shpejt një vendim. Një lëvizje që varet nga e ardhmja e Lautaros, i përfolur për kalimin te Barcelona. Interi kërkon të paktën 90 milionë për argjentinasin dhe kjo shumë do të shpenzohej për të blerë Verner. Barcelona për momentin jep 80 milionë, por Interi nuk lëshon pe. Në këtë situatë, katalanasit mund të ndryshojnë plan dhe të kalojnë ata te sulmuesi gjerman.
Verner e ka thënë publikisht se dëshiron të ndryshojë ambient dhe të kërkojë një aventurë të re. I pëlqen kampionati anglez, por drejtuesit e Interit janë të bindur se kanë në dorë kartat për blerjen e tij. Janë llogari që bëhen gjithmonë, nëse Lautaro Martinez do të lërë zikaltrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje