Politike

Samiti i Zagrebit, BE premton ndihmë ekonomike por hesht për negociatat

Samiti i Zagrebit, gjatë të cilit Shqipëria pritej të merrte dritën jeshile për negociatat, po mbahet sot në formën e një video-konference mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Bisedimet nisën në orën 16:30, por situata e krijuar nga pandemia duket se ka zhvendosur fokusuin nga negociatat. Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrel, ka thënë se “virusi është imponuar si pjesëmarrës pa ftesë dhe i pa paralajmëruar në samit”.

Një vend të veçantë në deklaratën përfundimtare të kësaj konference kishte bashkëpunimi në përballje me pandeminë dhe me pasojat e saj. Disa shtete anëtare të Bashkimit Europian kanë dashur që ky takim të mos jetë rreth zgjerimit, por më shumë rreth forcimit të lidhjeve mes rajonit dhe BE-së.

Liderët e BE-së kanë premtuar një paket prej 750 milion eurosh për rimëkëmbjen nga pandemia dhe një paketë prej 1.7 miliardë eurosh nga Banka Evropiane e Investimeve. Kjo ndihmë, mendojnë në BE, shkon përtej çfarëdo ndihme që kanë dhënë vendet tjera dhe duhet të njihet edhe publikisht. Kjo referencë është porosi e qartë se BE-ja nuk e ka parë si veprim të duhur ekzagjerimin e ndihmës që në rajon kanë dhënë disa shtete, si Rusia e Kina, ndërkohë që nuk është përmendur ndihma shumë më e madhe që ka dhënë Bashkimi Evropian dhe shtetet e saj anëtare.

Deklarata e përbashkët e Samitit të Beogradit jo vetëm që nuk jep ndonjë afat për negociatat me Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut, por as e përmend marrjen e një vendimi të tillë. Në deklaratën e video-konferencës, liderët e rajonit dhe ata të BE-së arrijnë në përfundimin se:

  •  1.BE edhe një herë riafirmon mbështetjen e saj të paanshme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Partnerët e Ballkanit Perëndimor përsëritën angazhimin e tyre ndaj perspektivës europiane. Besueshmëria e këtij angazhimi varet gjithashtu nga komunikimi i qartë publik dhe zbatimi i reformave të nevojshme.
  • 2.Shkalla e krizës së koronavirusit kërkon bashkimin dhe solidaritetin tonë. BE qëndron pranë partnerëve të saj të Ballkanit Perëndimor dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë në mënyrë aktive përpjekjet e tyre për të luftuar shpërthimin e koronavirusit dhe ndikimet e epidemisë në shoqëri dhe ekonomi.
  •  3. BE dhe Ballkani Perëndimor janë duke luftuar koronavirusin së bashku dhe efektet e tij. BE ka mobilizuar me shpejtësi një paketë mbi 3,3 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor. Ajo përfshin mbështetje të menjëhershme për sektorin e shëndetësisë, veçanërisht përmes ofrimit të furnizimeve thelbësore për të shpëtuar jetë dhe mbështetje të konsiderueshme për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të partnerëve tanë, si dhe një paketë prej 750 milion euro ndihmë Makro-Financiare dhe 1.7 miliardë euro paketë ndihme nga Banka Evropiane e Investimeve.
  •  4. Pandemia tregon se si BE dhe Ballkani Perëndimor së bashku po përballen me sfidat të përbashkëta. Ky bashkëpunim përfshin shitjen e pakufizuar të pajisjeve personale mbrojtëse, duke siguruar qarkullimin e shpejtë të mallrave thelbësore përmes korsive të gjelbra që lidhin BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, furnizimin nga ana e BE-së me materiale testimi si dhe bashkëpunim të ngushtë me organet përkatëse shëndetësore.
  • 5. Fakti që kjo mbështetje dhe bashkëpunim tejkalon çdo ndihmë që çdo partner tjetër i ka dhënë rajonit meriton një njohje publike. BE gjithashtu njeh mbështetjen e vlefshme që Ballkani Perëndimor i ka dhënë gjatë pandemisë fqinjëve të tyre të afërt dhe drejt BE. Kjo pasqyron solidaritetin dhe mbështetjen e ndërsjellë mbi të cilën ndërtohet BE-ja. Ky bashkëpunim dhe koordinim duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, përfshirë tërë fazën e rikuperimit.
  • 6. BE është e vendosur të intensifikojë më tej angazhimin e saj në të gjitha nivelet për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit dhe mirëpret premtimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur vlerat dhe parimet europiane dhe për të përfunduar reformat e nevojshme. Ndihma e BE-së do të lidhet me përparimin e prekshëm në sundimin e ligjit dhe në reformat socialo-ekonomike.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen ka reaguar pas samitit duke thënë se solidariteti dhe bashkëpunimi do e shërojë më shpejt shoqërinë. Në një postim në “Twitter” Von der Leyen shkruan se ky samit tregoi se jemi më të fortë së bashku. Sipas saj Ballkani Perëndimor i përket BE-së dhe i bën thirrje qeverive të zbatojnë reformat dhe të garantojnë lirinë e mediave.

“Samiti i sotëm i Zagrebit BE-Ballkani Perëndimor ka treguar se ne jemi gjithmonë më të fortë së bashku. Ne do të ngrihemi më shpejt dhe ekonomitë dhe shoqëritë tona do të shërohen më shpejt nga koronavirusi me solidaritet dhe bashkëpunim.

Nuk ka dyshim, Ballkani Perëndimor i përket BE-së. Unë u bëj thirrje qeverive të tyre që të vazhdojnë të zbatojnë reformat, veçanërisht për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e lirisë së mediave”, shkruan Von der Leyen.

Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli publikoi ​​ekstrakte nga fjalimi i tij në samit, në të cilin paralajmëroi vendet e rajonit se nuk ka asnjë justifikim për pezullimin e të drejtave të njeriut ose tejkalimin e kompetencave në kohën e masave të jashtëzakonshme të marra për përmbajtjen e virusit.

Sassoli gjithashtu theksoi se natyra më politike e metodologjisë së re të zgjerimit nuk duhet të dëmtojë angazhimin e BE-së për hyrje hap pas hapi në bazë të meritave individuale të secilit vend kandidat.

Përpara nisjes së samitit, presidenti i Këshillit Europian Charles Michel bisedoi me Presidentët e Kosovës Hashim Thaçi, Serbinë Aleksandër Vuçic dhe atë të Malit të Zi Milo Gjukanoviç.

Presidentit Thaçi shkruan në një postim se vendet anëtare të BE-së duhet të marrin vendimin për liberalizimin e vizave.

Për të kënaqur kërkesat e të gjithë pjesëmarrësve dhe duke pasur parasysh se edhe Kosova merr pjesë në këtë konferencë, sipas burimeve të BE-së është rënë dakord që para folësve dhe në prapavijë të tyre të mos ketë simbole shtetërore.

Për të njëjtin shkak edhe në dokumentin e “Deklaratës së Zagrebit”, i cili do të miratohet nga liderët në këtë konferencë, nuk do të përmenden “shtetet” e rajonit por vetëm “partnerët”.

Shumë zyrtarë të lartë të BE-së e kanë quajtur zhvillimin e kësaj konference si zhvillim të rëndësishëm e madje edhe historik. Pikërisht për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi, vlerësojnë ata, është e rëndësishme të konfirmohet se BE-ja kujdeset edhe për rajonin e Ballkanit perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë