Politike

Opozita rikthehet te Këshilli Politik: Të mblidhemi për 3 pika në rend dite

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kërkuan mbledhjen e Këshillit Politik, një ditë pasi përfaqësues të opozitës së bashkuar e konsideruan misionin e Këshillit Politik si të përmbyllur dhe lanë në dorë të mazhorancës që të zgjidhte një prej 5 drafteve të propozuara prej saj për reformën zgjedhore.

Mbledhja është kërkuar përmes një letre që Oerd Bylykbashi i PD-së dhe Petrit Vasili i LSI-së i kanë dërguar Damian Gjiknurit nga PS dhe Rudina Hajdarit, si përfaqësuese e opozitës parlamentare. Opozita kërkon që mbledhja të mbahet ditën e diel, ose të hënën dhe me rend dite të përcaktuar në tre pika.

“Rendi i ditës për mbledhjen e kërkuar nga opozita të dielën ose të hënën përmban 3 pika: Riskedulimin e kalendarit të punës së Këshillit Politik, duke synuar përmbylljen e punës brenda datës 31 maj 2020. Vlerësimin e përfaqësuesve të maxhorancës mbi propozimet e deritanishme të opozitës të bëra në mbledhjet paraardhëse të Këshillit Politik dhe tre çështje të tjera të propozuara nga anëtarët e tjerë të Këshillit Politik”, thuhet në letrën e firmosur nga dy përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare.

Opozita thotë se ka qenë dhe mbetet e angazhuar për përmbushjen e reformës zgjedhore si një prej kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave dhe njëkohësisht ofrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Ky ka qenë angazhimi ynë i përditshëm, duke i vlerësuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme si themelin e demokracisë, dhe procesin e integrimit europian si prioritet kombëtar”, thuhet në letër.

Përfaqësuesit opozitarë hedhin poshtë si të pabazuara dhe të pavërteta lajmet mediatike që thonë se opozita refuzon mbledhjen e Këshillit Politik.

“Nga momenti i ndërprerjes së mbledhjeve për shkak të pandemisë, nuk ka patur asnjë kërkesë apo ftesë për rinisjen e punës nga ana juaj”, vijon letra.

Gjithashtu, PD dhe LSI nuk mirëpresin qëndrimin e Damian Gjiknurit, që deklaroi më herët se mazhoranca mund të miratonte edhe e vetme reformën zgjedhore nëse opozita nuk paraqitej më në Këshillin Politik.

“Deklaratat nga ana juaj për një reformë jokonsensuale dhe të njëanshme synojnë krijimin e ngërçeve politike artificiale që dëmtojnë konsensualitetin e Reformës Zgjedhore dhe janë shpenzim energjish i kotë në dëm të përmbushjes së një prej kushteve të vendosura nga BE për hapjen e negociatave për antarësim”, thonë opozitarët.

Opozita thotë se është në pritje të një përgjigje nga ana e mazhorancës për propozimet e bëra që në fund të shkurtit për reformmën zgjedhore, propozime që sipas saj përfshijnë rekomandimet e OSBE/ODIHR për standarde demokratike zgjedhore.

Paraditen e së mërkurë, përfaqësuesi socialist në Këshillit Politik, Damian Gjiknuri deklaroi se do të ftonte zyrtarisht mbledhjen e Këshillit Politik brenda një jave dhe nëse opozita nuk paraqitet, atëherë do të vijohet puna për reformën zgjedhore në Komisionin e Posaçëm parlamentar të ngritur për këtë qëllim.

Kjo deklaratë e Gjiknurit pasoi deklaratat e bëra gjatë së martës nga ana e Monika Kryemadhit dhe Fatmir Mediut, që në përfundim të një takimi me Lulzim Bashën në selinë blu thanë se misioni i Këshillit Politik ishte përmbyllur dhe nuk ishte e nevojshme mbledhja e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë