Partia Demokratike thotë se biznesi i vogël po humbet miliona lek në muaj për shkak të mbylljes së aktivitetit dhe akuzon Qeverinë se e ka lënë në harresë këtë kategori sipërmarrësish për të mbrojtur oligarkët.
Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji vizitoi këtë të enjte një biznes të vogël, duke bërë sipas tij një përllogaritje financiare se çfarë goditje ka pësuar ky biznes nga pandemia e koronavirusit. Salianji ka llogartur humbjet mujore të një biznesi të vogël, siç janë bar-kafetë.
“Për fat të keq Shqipëria është futur dhe po futet në një cikël të falimentit dhe të krizës ekonomike për shkak të masave gjysmake dhe për shkak të zhvatjes që qeveria u ka bërë bizneseve edhe në këtë periudhë krize. Po shkojmë me shpejtësi drejt varfërimit dhe falimentit të shqiptarëve”, tha Ervin Salianji.
Ish-deputeti demokrat shoqërohej në këtë vizitë nga konsulenti financiar Uran Derri. Ky i fundit bëri përllogaritë të shpenzimeve financiare për një bar-kafe me 6 punonjës.
“E gjithë llogaria në muaj i kushton pronarit të biznesit 307 680 lekë, ose rreth 3 milionë lekë. Nga këto shpenzime, qeveria paguan vetëm 26 mijë lekë për secilin, duke bërë që borxhi i një biznesi bar kafe me 6 persona të jetë rreth 1.5 milionë lekë çdo muaj”, deklaroi ai.
PD thotë se biznesi ndihma e ofruar nga Qeveria për biznesin e vogël nuk mjafton as për të paguar taksat dhe tarifat vendore dhe për këtë arsye është detyruar që të prekë kursimet e vendosura nga puna ndër vite. Këtë, sipas opozitës, e pohoi edhe Shpëtim Agolli, përfaqësues i Shoqatës të Biznesit të Vogël dhe të Mesëm për qytetin e Tiranës.
“Qeveria jo vetëm nuk ka ndihmuar, por po e çon biznesin e vogël drejt falimentit. Ne si shoqatë i kemi kërkuar qeverisë nëpërmjet 11 pikave se çfarë duhet të bëjë me biznesin e vogël dhe të mesëm në përgjithësi. Deri tani sipas të dhënave që kemi nga INSTAT-i dhe Thesari qeveria ka paguar me pagën 260 mijë lekë rreth 60 mijë punonjës ose 12.5 milionë euro. Është një shifër shumë e vogël. I bëjmë thirrje qeverisë që të ulet me grupet e interesit që t’i shikojë edhe një herë paketat, sepse, në qoftë se vazhdon kështu, bizneset do të jenë drejt falimentit dhe familjet do të vuajnë në një krizë shumë më të rrezikshme për ekonominë e vendit”, deklaroi Agolli.
Salianji fajësoi drejtpërdrejtë Qeverinë për këtë situatë.
“Asnjë qeveri nuk ka bërë këtë që ka bërë qeveria Rama, që u merr para bizneseve të vogla, që u merr para më të pamundurve për t’ua çuar ato oligarkëve dhe gjithë bizneseve që marrin tendera publikë edhe në këtë periudhë dhe favorizohen nga qeveria. Shifrat flasin vetë dhe gjithë situata flet vetë që qeveria Rama gjatë gjithë kohës ishte e interesuar vetëm për pushtet personal dhe jo për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët e Republikës, të cilët paguajnë taksa”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje