Politike

LSI: Shtetrrethimi pas orës 17:30 u shërben oligarkëve, të hiqet

Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkon Qeverisë që të heqë menjëherë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve pas orës 17:30 minuta, pasi sipas kësaj partie është vendim politik pa asnjë bazë shkencore që po falimenton biznesin e vogël dhe po favorizon oligarkët.

“Kufizimi i lëvizjes, ndalimi i qytetarëve dhe gjithë bizneseve në orën 17:30 është thjesht dhe vetëm një shtetrrethim politik që nuk ka të bëjë fare as me kufizimin e pandemisë, as me ndalimin e përhapjes së virusit dhe as me kufizimin e ndonjë rreziku tjetër shëndetësor”, deklaroi nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Vasili thotë se kufizimi i lëvizjes pas kësaj ore nuk ka asnjë bazë shkencore.

“Kjo masë është një masë politike e pabazuar në asnjë ekspertizë, por me qëllime të larta politike dhe qëllime të këqia të karakterit ekonomik, pasi është një masë që rrënon të gjithë biznesin e vogël në tërësi, ndërkohë që siç e keni parë dhe ka filmime plot, nga mëngjes deri në darkë fadromat, ekskavatorët, betonieret e oligarkëve kanë punuar dhe punojnë pa pushim. Kjo është një masë për të asgjësuar përfundimisht këtë biznes të vogël që ai të kthehet thjesht në një rrogëtar që disponojnë të gjithë bizneset e mëdha, në mënyrë të veçantë ato të produkteve ushqimore për t’i rrënuar përfundimish ata”, deklaroi më tej nënkryetari i LSI-së.

Sipas Vasilit e vërteta e përhapjes së Covid-19 në vendin tonë është futur në darën e mashtrimit pasi dy mundësitë për ta zbuluar atë, si testimi masiv dhe aktivizimi i mjekut të familjes për të identifikuar rastet me të infektuar, nuk u përdorën.

“Shtetrrethimi i orës 17:30, shtetrrethimi politik duhet të largohet sa më parë duke filluar që nga dita e sotme. Çdo orë e mbajtur më tej është thjesht dhe vetëm një atentat ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut, nuk është një ndihmë për të kufizuar pandeminë, apo për ta parandaluar atë, por është e kundërta, është saktësisht e kundërta edhe nga pikëpamja shëndetësore”, deklaroi Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë