Real Madrid, pasi të gjithë futbollistët kaluan me sukses testet për koronavirusin, do të nisë të hënën stërvitjen individuale, por trajneri Zinedin Zidan duhet të përballet me një dëmtim të rëndë ende pa zbritur në fushë. Luka Joviç është dëmtuar duke u stërvitur në shtëpi. Sulmuesi serb ka pësuar një frakturë në kockën e këmbës së djathtë dhe parashikohet se do të mungojë rreth dy muaj.
Ky sezon është shndërruar vërtet në një makth për sulmuesin Joviç, i cili u konsiderua një blerje e rëndësishme verën e kaluar nga presidenti Florentino Perez, por që me fanellën e Realit nuk ka dhënë thuajse asgjë. Ndoshta ka qenë edhe pa fat. Dëmtimin e parë e pësoi gjatë fazës përgatitore në kavilje, më pas marrëdhënia e vështirë me trajnerin Zidan. Francezi në ndeshjet e fundit ka preferuar Mariano Diazin, duke e mbajtur serbin në stol.
Vetëm 2 gola në 24 ndeshje për Luka Joviç. Ai ka pasur probleme në fushë, por edhe jashtë saj. Pak javë më parë 22-vjeçari që shkëlqeu me Eintraht Frankfurtin, shkaktoi polemika në Beograd, pasi theu rregullat e karantinës. Tani vjen edhe ky dëmtim, që mund të ndryshojë planet e Milanit. Klubi kuqezi kishte hyrë në bisedime për blerjen e tij, por me këtë dëmtim Joviç është i detyruar të qëndrojë në Madrid.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje