Mbi 50 bashkëkombas shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i zi dhe Maqedonia e Veriut kanë humbur betejën me virusin në Amerikë, duke kaluar edhe numrin total të vdekjeve në Shqipëri.
Konfirmimin e jep ambasada e Shqipërisë në SHBA. Ambasada thotë se ndër shqiptarët që kanë ndërruar jetë janë edhe Agron Vraja (51 vjeç), anëtari i Këshillit Bashkiak në Lezhë dhe Doktor Raif Krasniqi (77 vjeç), të cilët kanë humbur jetën teksa ishin vizitorë në Nju Jork te familjarët e tyre.
Bashkë me to, edhe dy qytetarë shqiptaro-amerikanë, Ponari (47) dhe Vuktilaj (53) kishin lënë amanet – trupat e tyre duhet të ktheheshin në Shqipëri.
Siç njofton ambasada, disa ditë pas ngjarjes, është njoftuar se kthimi në Shqipëri i personave që kanë humbur jetën gjatë periudhës së pandemisë nuk po kryhej dot. Deri sa të hapeshin fluturimet normale me Europën kthimet ishin mision i pamundur.
“Procedurat e kthimit të shtetasve, normalisht ndiqen nga familjarët, por këto nuk janë kohë të zakonshme. Ambasada Shqiptare në Uashington DC u angazhua menjëherë për të shfrytëzuar çdo hapsirë të mundshme. Ajo kontaktoi me një sërë institucionesh dhe koordinoi njëkohësisht me familjarët, Qeverinë Shqiptare, Ambasadën Italiane në Uashington DC, Konsullatën italiane në Nju Jork, drejtuesit e kompanisë Alitalia në Romë dhe në SHBA, drejtuesit e Air Albania, shtëpitë funerale në SHBA, Itali dhe Shqipëri, dhe me disa institucione të ndërmjetme që përgatisin dokumentacionin dhe lëshojnë lejet respektive me qëllim transferimin e trupave drejt Shqipërisë”, thotë ambasada.
“Ndërkohë, pjesa më e madhe e qytetarëve me origjinë shqiptare që humbën jetën me Covid-19 do të prehen në tokën amerikane, që u bë për ta atdheu i dytë. Ndërsa dje, më 8 maj, trupat e Doktor Raifit, Gjekës, Agronit dhe Hamdiut kanë arritur në vendlindje dhe u varrosën në tokën shqiptare”, njofton ambasada.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje