Rifillimi i stërvitjes, edhe pse në mënyrë individuale, ka vënë në lëvizje klubet shqiptare. Konfirmimi i datës 18 maj për lejimin e stërvitjes nga Ministria e Shëndetësisë do të thotë se edhe data e rifillimit të kampionatit nuk do të jetë e largët. Zëra jo zyrtarë flasin për fundin e majit, ose fillimin e qershorit si kohën kur skuadrat shqiptare do të vazhdojnë kampionatin aty ku e lanë. Duket e vështirë të rinisë kaq shpejt, sepse janë disa çështje për t’u zgjidhur më parë.
Në këtë situatë mendimet janë të ndryshme. Trajnerët kërkojnë minimalisht dy javë kohë stërvitje kolektive para se të nisin ndeshjet, sepse futbollistët vijnë nga një kohë e gjatë pushimi dhe rrezikojnë të dëmtohen rëndë. Masat e sigurisë janë një çështje më vete, pasi edhe infrastruktura në vendin tonë nuk ofron kushte shumë komode. Po ashtu edhe kontratat e futbollistëve përtej asaj që ata kanë firmosur.

Shumë skuadra e kërkojnë me insistim përfundimin e garës në fushë për të arritur objektivin e sezonit. Dhe më e drejtë do të ishte të ndodhte kështu, nëse specialistët e shëndetit japin “ok”-in. Shqetësimi më i madh i klubeve të kategorive të ndryshme në këtë moment ka të bëjë me lojtarët e huaj, të cilët me kthimin në Shqipëri duhet të karantinohen dy javë, sipas rregullave. Por ka klube që kanë gjysmën e formacionit me lojtarë nga vendet e tjera dhe penalizohen direkt.
Kukësi, për shembull, ka lojtarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera, po ashtu edhe Vllaznia, Skënderbeu e shumica e skuadrave të Superiores dhe Kategorisë së Parë, kush më shumë e kush më pak. Të gjitha detajet e rifillimit të garës pritet të qartësohen në asamblenë e FSHF-së më 11 maj, e rëndësishme është që është hedhur hapi i parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje