Komunitet

A mundet të ruhet distancimi social në transportin publik?

Qytetet rreth botës po ballafaqohen me një problem teksa po dalin nga karantinimi i koronavirusit. Është thuajse e pamundur t’i bësh sistemet e transportit masiv që të përshtaten me distancimin social përgjatë orëve të pikut të lëvizjeve.

Mbajtja e pasagjerëve me distancim social në autobuzë, në metro dhe platforma treni mund të reduktojnë frekuentimin me 80% sipas zyrtarëve dhe kompanive të transportit.

Disa operatorë paralajmërojnë se kërkesat e rrepta për të dezifektuar vendet e pasagjerëve, panelet e dyerve dhe miljet e gjatë të mbështetësve të duarve nëpër stacionet e metrove do ta bëjnë shumë të vështirë operimin e sistemeve të transportit pa shkaktuar probleme apo kosto të mëdha.

“Është një dhimbje koke e vërtetë”, shprehet Mohamed Mezghani, drejtues i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Publik (UITP, International Association of Public Transport).

“Ne mund ta përballojmë këtë nëse zgjat për tre apo gjashtë muaj gjersa të gjejmë një zgjidhje ndaj virusit. Por nëse zgjat akoma më shumë do të na duhet që të mendojmë për zgjidhje radikale”, shprehet ai.

Një roje sigurie i metrosë përhap njerëzit që presin një tren në një stacion metroje të Romës në 28 Prill. Foto: GUGLIELMO MANGIAPANE/REUTERS

Një shëmbull shumë i mirë i mënyrës se si regjimi i pastrimeve mund të dëmtojë shërbimin e transportit publik është ai i Nju Jorkut. Metrotë e tij u ndalën së operuari nga 24 orë në ditë të mërkurën, pasi nga ora 1 e mëngjesit gjer në orën 5 të mëngjesit ato dezifektohen me kujdes. Ndërkohë Autoriteti i Transportit Metropolitan që drejton rrjetin e metrosë shprehet se nuk do ta këtë të mundur që t’i mbajë pasagjerët dy metra larg njëri tjetrit dhe se është duke pritur udhëzime nga qeveria për një distancim të ri social brenda metrosë apo për rregulla të reja.

Problemet e shkaktuara nga distancimi social ka detyruar shumë qytete, e veçanërisht në Azi, të shprehen kundër tij.

Në Pekin (ku masat karantinuese para pak kohësh u lehtësuan) metrotë që të çojnë drejt qytetit u mbushën plot e përplot me njerëz të veshur me maska. Ndërkohë autoritetet kineze shprehen se një kombinim i mirë i përdorimit të maskave, kontrrollit të temperaturave dhe pastrimit të metrove mundësojnë siguri për pasagjerët e janë të mjaftueshme. Disa operatorë të transportit kanë nisur të testojnë  teknologjitë e video-survejimeve që do i’u mundësojnë këtyre observimin në kohë reale të ndjekjes së udhëzimit nga pasagjerët për të veshur maska.

Por në qytetet Europiane si Roma, që është goditur rëndshëm nga covid-19, autoritetet kanë kërkuar nga kompanitë e transportit t’i përforcojnë rregullat e distancimit social nga frika e një vale të dytë infektimi.

FOTO E UDHËTARËVE NË TOKIO

Barbara Marcotulli një konsultuese biznesesh shprehet se është ndjerë e sigurt në përdorimin e metrosë së Romës këtë javë pas shpenzimit të dy muajve të kaluar e izoluar në shtëpi. “Unë ndjehesha rehat në metro pasi kishte pakëz njerëz në kabinë me mua si dhe çdokush po respektonte distancimin social”, thotë ajo.

Në Londër autoritetet janë duke punuar në një plan për të ngritur masat e izolimit. Të pyetura në parlament të mërkurën mbi sfidat që ato mund të hasin gjatë kthimit të kapacitetit të plotë në transportin e sistemit publik. Kryeministri Boris Johnson shprehet se “kjo do të jetë një epokë e artë në përdorimin e biçikletave”.

Në Paris ku masat e kufizimeve priten që të lehtësohen nga e hëna e ardhshme qeveria dhe kompanitë e transportit janë përplasur me njëra tjetrën mbi se kujt do i bie përgjegjësia nëse ndodh që njerëzit të grumbullohen në tufa e shumë afër me njëri tjetrin siç ka ndodhur gjithnjë më parë.

Operatori i transportit publik francez RATP shprehet se masat e distancimit social do ta detyrojnë sistemin e transportit publik të lëvizë veçse dy milionë pasagjerë në ditë krahasuar me 12 milionë përpara shpërthimit.

Gjatë një seance parlamentare në video-konferencë zonja Catherine Guillouard drejtuesja e transportit publik francez RATP shprehet se, “do të ishte shumë mirë nga qytetarët që të respektonin distancimin social si dhe kompanitë të vazhdonin të punonin nga shtëpia, nëse e kishin si mundësi, në mënyrë që mos të mbingarkohet transporti publik si dhe të rrezikohet shëndeti ynë i përbashkët.”

Zoti Mezghani në Bruksel shprehet se UITP po nxit autoritetet europiane që ta shohin më nga afër eksperiencën e qyteteve aziatike si dhe t’i lehtësojnë rregullat e distancimit social në mënyrë që të evitohet “mbytja” e rrjetit të transportit. “Një kombinim i mirë i maskave, dezifektimeve, dhe shpërhapjes së pikut të lëvizjes mund të sjellë rezultate shumë të mira”, shton ai.

Në Japoni, vendi që ka disa prej zonave të transportit publik më të ngjeshura e dendura në botë emergjenca kombëtare pritet të hiqet muajin e ardhshëm e debati ka marrë një tjetër drejtim.

Aty qeveria i’u ka kërkuar kompanive të promovojnë sa më shumë vazhdimin e punimit nga shtëpia. Zoti Keisuke Nakahara ekonomist për firmën konsultuese financiare “Asset Best Partners” shprehet se puna nga shtëpia jo veçse që do të mundësojë siguri të punonjësve por dhe do të rrisë produktivitetin e tyre.

Zoti Nakahara shprehet se udhëtarët në Tokio shpenzojnë ekuivalentin e një pune një mujore gjatë vajtjes e ardhjes për në punë gjatë një viti.

“Është gjithë ky shpenzim kohe”, shprehet ai. “Ndonëse koronavirusi është i tmerrshëm kjo përbën një mundësi të madhe për Japoninë në rritjen e produktivitetit përmes punës nga shtëpia”, shton ai.

Burimi: Wall Street Journal, Përshtati në shqip Gazeta SI


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë