Lajme

Hapen parukeritë, berberët, qendrat estetike, klinikat dentare. Shtohen 14 zona të gjelbra

Nga sot në vendin tonë janë shtuar lehtësimet për hapjen graduale të bizneseve që janë mbyllur si pasojë e koronavirusit.

I janë shtuar hartës 14 zona të reja të gjelbra: Lushnje, Patos, Roskovec, Korçë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejës, Kavajë dhe Vorë.

Në këto zona ka zgjatje të fashës orare për të lëvizur nga ora 05:00-21:00 si dhe lejohet qarkullimi ndërqytetës brenda zonave të gjelbra me automjet privat, duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njëjtës familje.

Po ashtu janë hapur edhe blloku i tretë i bizneseve duke lejuar që të ushtrojnë aktivitetin e tyre sipas protokolleve strikte të sigurisë, klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare.

Ndryshim do të ketë edhe me karantinimin e të riatdhesuarve, ku nuk do të ketë më karantinim në hotele, por të gjithë do të karantinohen në banesat e tyre.

Nga ana tjetër, në lidhje me grumbullimet mbeten në fuqi rregullat se: nuk lejohen qëndrimi me më shumë se 5 veta, aktivitetet kulturore dhe sportive të çdo lloji dhe transporti publik si dhe njësitë ekonomike ende të mbyllura.

Ndërkohë do të vijojë i njëjti regjim oraresh dhe rregullash strikte në zonat e kuqe si Tiranë, Durrës, Shkodër, Kurbin, Krujë dhe Fier. Këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara nga zona e gjelbër te e kuqja dhe e kundërta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë