Politike

Prodhuesit ankohen te Basha: Asnjë ndihmë nga Qeveria

Lulzim Basha priti në një takim përfaqësues të Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Partia Demokratike, në këtë takim përfaqësuesit e prodhuesve ngritën shqetësime për mungesën e mbështetjes nga ana e Qeverisë për përballimin e krizës së shkaktuar nga pandemia e Covid-19.

“Ndonëse kërkesat e tyre konkrete për të përballuar krizën e këtij sektori gjatë pandemisë janë bërë publike qysh herët, Qeveria nuk ka marrë asnjë masë konkrete për t’u ardhur në ndihmë. Paketat ekonomike të qeverisë nuk e kanë ndihmuar aspak këtë sektor që, çdo ditë e më shumë, po varfërohet dhe rrënohet nga pandemia e krizës ekonomike. Mungesa e likuiditetit në zinxhirin prodhues, shoqëruar dhe me mungesën e aksesit në garancinë sovrane janë faktorë shtesë që e bëjnë sektorin e prodhimit shqiptar një nga më të rrezikuarit nga falimentimi për shkak te keqmenaxhimit të ekonomisë gjatë periudhës së pandemisë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga PD.

Nga ana e tij, Basha përsëriti qëndrimin e opozitës se Qeveria e keqmenaxhoi krizën e shkaktuar nga pandemia në dëm të shqiptarëve dhe në favor të miqve të saj.

“41.5 milionë euro ka dhënë Edi Rama për 3 milionë shqiptarë, ku janë qindra e mijëra të papunë dhe biznese gati për t’u mbyllur, ndërkohë që, po kaq, i ka dhënë qeveria klienteve të saj për 2 km rrugë tek Unaza e Re”, deklaroi Basha.

Basha i konsideroi të drejta shqetësimet e ngritura nga Shoqata e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe i siguroi ata se PD do të jetë në krah të biznesit duke mbështetur kërkesat e tyre legjitime, si rruga e vetme për të shmangur katastrofën ekonomike dhe humbjen e dhjetëra mijëra vende pune.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë