Politike

Hungaria padit ambasadorët nordikë: Futën hundët në çështjet e brendshme

Hungaria do të padisë të gjithë ambasadorët e vendeve nordike me akuzën e përhapjes së lajmeve të rreme në lidhje me disa nisma anti-Covid19 të Qeverisë së Budapestit, që nga disa zyrtarë në Bruksel janë parë si përpjekje të Viktor Orban për të zgjeruar pushtetin e tij.

Lajmi është konfirmuar përmes rrjeteve sociale nga llogaria zyrtare e Ministrisë së Jashtme hungareze. Padia do të ngrihet ndaj ambasadorëve të Danimarkës, Finlandës, Islandës, Norvegjisë dhe Suedisë.

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto citoi “përhapjen e lajmeve të rreme tek institucionet dhe mediat liberale ndërkombëtare”, si arsyeja e këtij vendimi.

Szijjarto thotë se diplomatët kanë shprehur mbështetje për një letër të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, ku ngrihej shqetësimi për ligjet anti-Covid të Hungarisë. Veç kësaj, ata kanë bërë disa deklarata individuale, duke deklaruar se Hungaria ndodhet në prag të diktaturës. Ministria e Jashtme hungareze i hodhi poshtë dhe i cilësoi gënjeshtra të trasha.

“Hungarezët janë një popullt mbi 1 mijë vjeçar dhe refuzojnë çdo përpjekje patetike e hipokrite për t’i marrë në mbrojtje. Ata janë në gjendje që të vendosin vetë se çfarë duan dhe çfarë jo”, deklaroi ministri i Jashtëm hungarez, Szijjarto.

Kryediplomati hungarez kërkoi gjithashtu nga ministritë e Jashtme të vendeve të mësipërme që të shohin punët e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë