Futboll

Perandoria Mansur, sheiku blen edhe klubin e 9-të në Belgjikë

As pandemia e koronavirusit nuk i ndal projektet planetare të sheikut Mansur bin Zajed Al Nahian, vëllai i presidentit të Emirateve Arabe, Khalifa bin Zajed Al Nahaian, – nga 2008-a pronar i Mançester Sitit. Sot është njoftuar blerja e klubit belg Lomel SK, që merr pjesë në divizionin e dytë.

Sipas akordit, pronarët e rinj duhet të shlyejnë borxhet e këtij klubi prej gati 2 milionë eurosh. Lomel është ekipi i një qyteti prej 34 mijë banorësh dhe nuk ka qenë kurrë në nivelin elitar në Belgjikë. Tashmë sheiku Mansur kontrollon 9 skuadra në botë: Mançester Sitin (Angli), Gironën (Spanjë), Nju Jork Sitin (Amerikë), Jokohama Marinos (Japoni), Mumbai Siti (Indi), Sichuan Jiuniu (Kinë), Melburn Siti (Australi), Montevideo Siti (Uruguai) dhe nga sot Lomelin në Belgjikë.

Në shënjestrën e Mansur është tashmë edhe skuadra e 10-të. Ai është në bisedime me klubin e Nensi, që merr pjesë në serinë B në Francë. “Belgjika është një nga vendet më të mira të futbollit në Europë, siç tregon qartë suksesi i kombëtares, por edhe nxjerrja e lojtarëve të nivelit botëror si Kevin de Bryjne dhe Vinsent Kompani. Ky investim bën pjesë në strategjinë tonë afatgjatë për të qenë prezentë në vendet kryesore të futbollit, të rritim talente dhe të rritim kualitetin”, – ka thënë Ferran Soriano, administratori i deleguar i Mançester Sitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë