Lulzim Basha ka zbritur në terren, ku takimet me qytetarët dhe biznesin që po përpiqet t’i rikthehet gradualisht normalitetit e ka bindur edhe më fort se Qeveria i ka braktisur shqiptarët.
“Pjesa më e madhe e qytetarëve që takoj në Tiranë i kanë respektuar rregullat e higjenës dhe të distancimit social. Megjithatë shqetësim serioz mbetet situata ekonomike e rënduar nga pandemia e COVID-19. Janë të shumtë qytetarët që nuk kanë marrë asnjë lek ndihmë për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi. Edhe bizneset përballen me vështirësi të mëdha. Mungesa e ndihmës rrezikon mbylljen e shumë prej tyre ndërsa të shumtë janë dhe ata që janë detyruar të heqin të punësuar nga listpagesat”, shkruan Basha.
Ai thekson se janë të shumtë qytetarët që nuk kanë marrë asnjë lekë ndihmë për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi, ndërsa vë në pah vështirësitë që pritet të kalojë biznesi në këtë periudhë rihapjeje.
“Qeveria Rama i la pa ndihmë shumicën e qytetarëve dhe bizneseve. Rinisja e aktivitetit normal është shumë e vështirë për ta tashmë që veç faturave dhe taksave të larta, përballen me uljen e numrit të blerësve dhe ankthin për të ardhmen e pasigurt”, vijon më tej Basha.
Ndër të tjera, Basha thotë se “Xhepat e shqiptarëve janë shkundur nga pandemia ekonomike e qeverisë Rama. Asnjë formë propagande dhe cirku qeveritar nuk e fsheh dot pasigurinë dhe varfërinë e tejskajshme që po pllakos në familjet shqiptare”.
Lulzim Basha akuzon Qeverinë për braktisje të qytetarëve në këtë kohë krize. “Shqiptarët po i rikthehen jetës normale duke u munduar vetë për të ruajtur rregullat e higjienës dhe ato të distancimit social”, thotë kreu i PD.
Por, Basha deklaron se normaliteti mungon tek ekonomia dhe xhepat e boshatisur të qytetarëve dhe bizneseve në vështirësi.
“Në rrugë dhe dyqane takova qytetarë që nuk kanë marrë ende asnjë ndihmë nga Qeveria. Pandemia ekonomike e shkaktuar nga dështimet e Ramës në menaxhimin e krizës po i varfëron edhe më shumë familjet shqiptare”, deklaron kreu i opozitës përmes një postimi në rrjetet sociale.
Basha e shoqëron reagimet e tij me një video të shkurtër ku shfaqet në bashkëbisedim me pronarë të biznesit të vogël, të cilët i ankohen për mungesën e ndihmës nga Qeveria dhe faturime të larta të energjisë elektrike e të ujit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje