Politike

Tender jashtë objektit, PD padit në SPAK kryebashkiakun e Dibrës

Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK padinë ndaj kryebashkiakut të Dibrës, Dionis Imeraj, të cilin e akuzon për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderat e hedhura gjatë periudhës së krizës së koronavirusit.

Dega e PD-së në Dibër thotë se shkeljet janë bërë në rastin e tenderit për ndërtimin e ujësjellësit Gurrë e Epërme-Luzni-Peshkopi. Opozita thotë se nuk është kundër investimeve publike, por objekti i tenderit shkel urdhrin e Agjencisë së Prokurimeve Publike për ndalimin e procedurave tenderuese për të gjithë tenderat që nuk lidhen me pandeminë.

“Për fatin e keq vëmendja e kryetarit të Bashkisë dhe bashkëpunëtorëve të tij ishte përqëndruar në prokurimin e Ndërtimit të Ujësjellësit të sipërpërmendur në paligjëshmëri të plotë, por në sfidim të Agjencisëë së Prokurimit Publik, e cila ka urdhëruar se autoritetet kontraktore duhet të vijojnë procesin e prokurimit vetëm për ato procedura prokurimi që lidhen ngushtësisht me mbulimin e nevojave te dala në kuadër të situatës së shkaktuar nga pandemia Covid 19 dhe që konsiderohen të domosdoshme”, deklaroi kreu i PD-së në Dibër, Naim Gazidede.

PD ka kërkuar nga SPAK dhe KLSH që të nisin sa më shpejt hetimet dhe të ndalojnë vjedhjet dhe babëzitë me tenderat publikë.

“Me regjistrimin penal të kësaj çështje nga SPAK, ne kërkojmë që drejtësia të jetë e shpejtë dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ata që e kanë mendjen tek vjedhjet, kur dibranët dhe shqiptarët janë pa mbështetje dhe gjendja po përkeqësohet”, mbyllet deklarata e PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë