Nga masat kufizuese kundër Covid-19, strategjia e hapjes e ndihma financiare për qytetarët dhe biznesin, nisma për legalizimin e hashashit, e deri tek afrimi me Ilir Metën për Kodin Penal dhe “largimi” me Lulzim Bashën për reformën zgjedhore. Edi Rama foli për të gjitha në konferencën në distancë me gazetarët.
Kryeministri identifikoi turizmin dhe transportin publik si dy sektorët më problematikë dhe ende pa një strategji të qartë hapjeje, apo rikthimi në normalitet. Për turizmin, Rama tha se qarkullojnë shumë ide dhe protokolle sigurie, por asnjë vend nuk është i sigurtë në hapjen që zgjedh. Sa i takon transportit publik, Rama deklaroi se brenda qershorit do të diskutohet strategjia e rikthimit të këtij shërbimi, pa dhënë më shumë detaje.
Kryeministri nuk dha detaje as për përmbajtjen e draftit që po diskutohet për legalizimin e hashashit, nismë që e komunikoi për herë të parë para dy ditëve në konferencën e përbashkët për shtyp me ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca. Megjithatë, për këtë nismë, Rama përsëriti këmbënguljen e Qeverisë dhe shumicës që drejton për ta çuar deri në fund brenda muajit korrik, kur mbyllet ky sesion parlamentar.
Pyetjes se përse kjo nismë po diskutohet tani dhe jo më parë, Rama iu përgjigj duke deklaruar se tani u poqën kushtet, mes të cilave edhe ai i vendosjes nën kontroll të situatës së kultivimit dhe trafikimit të paligjshëm të kësaj bime.
“E kam thënë që nuk është koha për të folur për këtë çështje, por për të vendosur në kontroll situatën me kultivimin e paligjshëm dhe trafikimin, situata tani është vendosur në kontroll. Kemi më shumë se një vit që punojmë për këtë projekt. Na është dashur të bëjmë analiza, punë kërkimore, udhëtime pune si funksionon dhe tani janë pjekur kushtet, pse tani? Pse jo tani? Kjo nuk është shpikje! Është trend botëror. Unë di që jemi në kohën e duhur dhe duhet ta shtyjmë përpara këtë proces dhe brenda këtij sesioni parlamentar ta kalojmë”, deklaroi Kryeministri.
Rama përjashtoi mundësinë e rishikimit të reformës në drejtësi dhe përforcoi këmbënguljen e shumicës për të shembur godinën ekzistuese dhe ndërtuar një godinë të re për Teatrin Kombëtar. Ai iu përgjigj tërthorazi kundërshtimit të Presidentit Ilir Meta, që e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë çështje, duke deklaruar se të gjitha argumentat kundër këtij projekti janë shteruar.
“Të gjithë kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre, por në fund vendos shumica. Ne jemi shumica dhe e kemi marrë këtë vendim dhe nuk shoh sesi pakica të caktuara mund të imponojnë në çdo formë vendimmarrje, që lidhen me kompetencat e pushtetit të mandatuar nga populli”, u shpreh Rama.
Afrimi i perceptuar me Presidentin ka shtuar zërat për një rikthim të koalicionit PS-LSI. Rama e përjashtoi.
“Nuk shoh asnjë perspektivë për një rikthim në një koalicion me partinë e Presidentit, sepse konteksti i sotëm dhe degradimi i vazhdueshëm i asaj force politike dhe detyrimet tona programore dhe bindja jonë se për ne është e mjaftueshëm të flasë puna e bëjnë pa asnjë interes këtë temë diskutimi. Nuk kemi asnjë arsye të bëjmë koalicion. E përjashtoj këtë”, tha Rama.
Kryeministri përjashtoi gjithashtu edhe mundësinë që mazhoranca të pranojë dy kushte të vendosura nga opozita për reformën zgjedhore. Kushti i parë lidhet me qeverinë kujdestare, ndërsa i dyti me emërimin në Kolegjin Zgjedhor edhe të gjyqtarëve që nuk e kanë kaluar vettingun.
“Opozita mund ta kërkojë (qeverinë kujdestare) dhe e kërkoi në forma vulgare duke përgatitur një zjarrvënie të përgjithshme dhe u dogj vetë. Nëse duan ta kërkojnë sërish janë në të drejtën e tyre, por kjo nuk ka për të ndodhur”, tha ai.
Kategorikisht u refuzua edhe kërkesa për Kolegjin Zgjedhor.
“Në kolegjin e zgjedhor e gjykatësve që nuk kanë kaluar vettingun…e përsëris , gjykatës që nuk kanë kaluar vettingun nuk do të pranojmë që të jenë pjesë e kolegjeve zgjedhore”, u shpreh Rama.
Kryeministri përforcoi kushtin e mazhorancës, që thotë se është edhe rekomandim i OSBE/ODIHR e që lidhet me depolitizimin e administratës zgjedhore.
“Nuk bëhet fjalë për të pranuar propozimet e opozitës, por për të dakordësuar propozimet e OSBE/ODIHR. Janë shumë të qarta propozimet dhe ODHIR ka rekomanduar depolitizimin. Në këtë pikë jemi gati dhe ta bëjmë dhe administrata t’u takojë qytetarëve”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje