Futboll

Revoltë ndërkombëtare, 350 tifozeri kundër rinisjes së futbollit

Reagim i fuqishëm i tifozëve nga shumë vende të Europës kundër rifillimit të futbollit, që për një kohë të gjatë pritet të luhet me dyer të mbyllura. E kishin kërkuar me banderola të ndryshme jashtë stadiumeve, nga Bergamo në Romë, nga Torino në Leçe, por tani revolta e tifozëve fanatikë ka marrë formë zyrtare me një dokument të firmosur nga përfaqësues të grupimeve të tifozëve italianë, spanjollë, francezë, gjermanë etj.

“Nuk ka futboll pa tifozë. Nuk është vetëm një industri, me klubet të futura në një thes nga të drejtat televizive. Biznesi dhe interesat personale do ta çojnë futbollin drejt vdekjes. E gjithë Europa po përjeton një krizë të paprecedentë dhe në këtë moment objektivi kryesor është shëndeti”. Kjo është në thelb deklarata e rreth 350 tifozerive në gjithë Europën. Janë shumica grupime tifozësh nga Italia, por edhe nga Gjermania, Franca, Spanja, Belgjika e Rumania, që janë kundër rifillimit të kampionateve të pezulluara në muajt shkurt dhe mars për shkak të emergjencës së koronavirusit.

I janë bashkuar protestës ndërkombëtare ultrasit e Atalantës, Breshias, Bolonjës, Xhenoas, Juventusit, Napolit, Sampdorias, Spalit dhe Udinezes, sa për të përmendur disa emra nga Italia. Nga tifozëritë e tjera mund të përmenden spanjollët e Real Madrid, Valencias dhe Seviljes, francezët e Olimpik Marsejës, Nantës, Metzit, gjermanët e Bajern Mynih, Kaizerslautern, Shtutgartit, belgët e Standard Liezhit dhe Anderlehtit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë