Futboll

Tjetër sinjal krize, Barcelona nuk do t’i rimbursojë tifozët e saj

Po flitet shumë për lojtarët që do të blejë Barcelona dhe sipas zërave të merkatos në listë janë Nejmar, Lautaro Martinez, Pjaniç dhe de Ligt. Por shpenzimet e mëdha mund të frenohen nga situata financiare e klubit. Nga Spanja vjen lajmi se klubi katalanas, për të mbrojtur kasën e saj, pritet që të mos i rimbursojë 85 mijë abonentët e “Camp Nou”-t.

Edhe nëse rifillojnë ndeshjet, ato do të zhvillohen me dyer të mbyllura dhe tifozët fanatikë katalas nuk mund të shkojnë në stadium. Pritej një lëvizje nga drejtuesit e Barcelonës për t’i ndihmuar tifozët, të cilët në fillim të sezonit kanë shpenzuar nga 150 deri në 1250 euro për të parë nga afër Mesin me shokë. Tifozët derdhin në arkat e klubit spanjoll çdo vit mesatarisht 45 milionë euro.

Lojtarët e Barcelonës pas një humbje. Gazeta Si, 14 maj 2020

Në këtë situatë, Barcelona duhej t’u kthente tifozëve pjesën e pagesës për ndeshjet që ata nuk do të shohin, ose minimalisht të bënte një ulje për abonimin e sezonit të ardhshëm, por, sipas të përditshmes katalanase “Ara”, klubi e ka përjashtuar opsionin e parë me argumentin se tarifat janë më të ulëtat në nivelin e klubeve më të mëdha. Për të bërë një paralelizëm, një tifoz i Real Madrid mund të paguajë edhe 2050 euro për një abonim vjetor në “Santiago Bernabeu”. Mbetet hipoteza e uljes së abonimit të sezonit të ri, por edhe për të nu ka asgjë të sigurt.

Rimbursimi i munguar i tifozëve është një tjetër sinjal për krizën ekonomike të kampionëve të Spanjës. Sipas Jaume Roures (president i Mediapro), Bercelona ka një borxh prej të paktën 500 milionë eurosh. Kriza është thelluar nga pandemia dhe mund ta detyrojë këtë klub të mos bëjë shpenzime të mëdha në merkato, ashtu sikurse flitet.

Sinjali i alarmit është dhënë më parë nga Viktor Font, sipërmarrësi që është kandidat për presidencën e Barcelonës për zgjedhjet e 2021-shit, kur përfundon mandati i Josep Maria Bartomeu. Sipas Font, klubi prej dy muajsh është në krizë të plotë dhe situata mund të bëhet kritike. Nëse shtojmë këtu edhe debatin Mesi-Abidal për shkarkimin e Valverde, shkurtimin e pagave dhe lajmet se Bartomeu kishte paguar një kompani për të prishur imazhin e disa prej senatorëve të skuadrës, kuptohet qartë se është në një situatë shumë të mjegullt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë