Myslim Murrizi është një nga dy deputetët e ish-grupit parlamentar demokrat, që nuk doli jashtë Kuvendit, sipas vendimit politik të partisë në shkurt 2019.
Ai dhe Rudina Hajdari u përjashtuan nga forumet e PD-së. Hajdari nuk ishte pjesë e strukturave, por Myslim Murrizi po.
Lidhja e tij me PD-në dhe paralelisht me mandatin e deputetit është e gjatë dhe shumë vjeçare. Disa herë deputet dhe kandidat në zgjedhje, disa vite drejtues lokal dhe prej 2013-ës (deri në 2019) edhe kryetar i PD-së, Lushnjë.
Për shumëkënd që e njeh Murrizin në PD, përpjekja e tij për të qënë çdo palë zgjedhje në Kuvend ka qënë një kokëçarje jo e vogël për rryma të caktuara në parti. Edhe në momente të vështira.
E ka treguar këtë gjë edhe në qershor të vitit 1997, kur Sali Berisha e prezantonte si kandidat për deputet mes plumbash në një tubim demokratësh lushnjarë.
Murrizi ka ecur me kartën se është i zoti të zotërojë vota në Lushnjë, që i përkasin së djathtës.. Dikur me një liçencë Universiteti (tanimë të mbyllur) mes Murrizit dhe PD-së ka pasur disa herë luhatje raportesh, që janë reflektuar më pas edhe në listat e kandidatëve për deputet.
Ai i përket brezit të “makinacioneve të vjetra” në parti. Megjithatë, Myslim Murrizi arrin të marrë mbështetjen edhe të Lulzim Bashës, që për hir të së vërtetës, deri para 2017-ës nuk ishte e fortë, duke u renditur i treti në listat shumëemërore për deputet në qarkun e Fierit…
…Në Kuvend, por jashtë PD-së, Murrizi po bën përpjekjen e tij politike për të qënë aty sërish në 2021.
“Që do jem në Parlament, do jem, por për siglën me të parë e me të bërë. Po e mendoj seriozisht për një lëvizje, me një listë ndryshe. Do të kandidoj më 2021, nuk bëhet fjalë fare,” – u shpreh Murrizi.

Të enjten, ai mbledh grupin parlamentar Demokrat prej 9 deputetësh (ku mungoi vetëm një deputete), merr firmat e 6 deputetëve burra dhe shkarkon Rudina Hajdarin nga kryetare e grupit.
Me emërimin e tij në krye të grupit, prania e Hajdarit në Këshillin Politik të Reformës vihet në pikëpyetje. Më vonë, vetë Murrizi shprehet aty për aty që “të shkojë Hajdari në Këshill”, pasi beteja e vërtetë do të jetë në Kuvend.
Murrizi e ka akuzuar disa herë Hajdarin për “butësinë” e saj përballë dy partive të mëdha në Këshill edhe pse e shkarkon fiks në kohën kur ajo ngriti zërin më shumë, e kur kërkesat që ai trumbeton, janë bash ato që rëndit edhe Hajdari.
Ai ka thënë gjithashtu se ka 39 deputetë pas tij për të treguar kinse se Rama nuk mund t’i bëjë votat për ndryshimet në Kodin Zgjedhor (duhen 84 dhe Rama ka 81 deri më tani).
Që Rama nuk e ka aspak problem kuotën, këtë në fakt e tregoi koha, qyshkur opozita doli jashtë dyerve të Kuvendit. Më maska apo pa, deputetët aktualë, pas çdo gërthitje në Kuvend, janë rreshtuar në fund me çdo nismë të PS-së. Duke mos patur “nëpër këmbë” Rudina Hajdarin, por të shohë gjetkë edhe tek Murrizi, mazhoranca po shikon llogari të reja për reformën zgjedhore.
Eksperienca e deritashme ka treguar se ata që vendosin për zgjedhoren janë dy partitë e mëdha në koordinim me LSI. Murrizi (me disa deputetë) mund të shërbejnë thjesht si mjet presioni për çdo njërën forcë politike që e “çmon “ më shumë kundrejt palës tjetër deri sa lufta e nervave të zgjidhet përmes një kompromisi të orëve të fundit. Për fat të keq Myslim Murrizi po na afrohet si guri i kandarit në peshoren që do sjellë ekuilibrin politik, i shtyrë edhe nga gishti i mazhorancës që e reklamon atë sot si “njeriu që di të bëjë opozitë”.
“Ju urojmë suksese në partinë e re, urojmë që shumë nga emrat që janë këtu të jeni në atë parti dhe të vini sërish në këtë Kuvend. Më mirë të bëjmë replika me ju se të kemi miell, bojë dhe çizme. Keni bërë ju më shumë opozitë se ata”, i tha Elisa Spiropali, Murrizit të enjten në Kuvend.
Këtë gjë e ka kuptuar edhe deputetja pa “përvojë politike” (siç do ta cilësonte Murrizi) Rudina Hajdari.
“…Mos bëni opozitë duke dashur llokma. Unë nuk bëhem pjesë e tyre …”, tha ajo në Kuvend, pa adresuar emra konkret. Duke u larguar e vetme nga salla. Ashtu siç edhe hyri. Sepse në fund të fundit, në atë Kuvend asgjë nuk ka ndryshuar. As Murrizi…
*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje