Futboll

Ideohet Milani gjerman, Rangnik sjell Nagelsman për stolin kuqezi

Një Milan gjerman po lind. Ralf Rangnik, i projektuar si përgjegjësi i sektorit teknik të klubit kuqezi, ka në plan të sjellë me vete në Itali një trajner për t’ia besuar atij të ashtuquajturat “gjërat e fushës”. Një trajner si Julian Nagelsman, i cili drejton Lajpcigun aktualisht dhe vlerësohet shumë nga Rangnik.

Kanë punuar të dy bashkë dhe për këtë arsye Rangnik kërkon të ecë në gjurmë që i njeh mirë. Ai ka në plane lojtarë dhe paga që i shërbejnë të ardhmes së Milanit, si dhe sistem loje që duhet aplikuar që në sektorin e të rinjve të klubit kuqezi, siç ka bërë i madhi Arrigo Saki vite më parë. Një sfidë totale, një rindërtim pa i lënë gjërat evazive, me “nëse” apo me “por”. Dhe në këtë sens, Nagelsman shihet si njeriu i duhur për t’i lënë në dorë këtë punë jo të lehtë.

Julian Nagelsman, trajneri gjerman i Lajpcigut. Gazeta Si, 15 maj 2020

Te Milani të gjithë e kanë kuptuar se e ardhmja është një “tokë” e huaj, me shumë mundësi gjermane, me një program preciz dhe që parashikon uniformitet që nga të rinjtë e lart. Një projekt i vjetër, si ai i Sakit për nga kultura futbollistike, që Ralf Rangnik kërkon ta imponojë në Milanelo. Por a mund t’ia dalë i vetëm dhe mbi të gjitha si do ta nisë? Trajneri Stefano Pioli duket se ka detyrë ta mbyllë me nder këtë kampionat. Ai do të bëjë gjithçka që mundet dhe skuadra është me të, duke përfshirë edhe Ibrahimoviç. Më pas, nuk dihet sa nga lojtarët aktualë do të qëndrojnë, sepse Milani gjerman, mes zbulimit të talenteve dhe egzigjencave taktike, mund të sjellë shumë surpriza.

Po cilat mund të jenë objektivat e fondit “Elliott” në këtë revolucion të radhës? Para së gjithash, duhet një klub që të vetëfinancohet, lojtarë të rinj dhe me paga të pranueshme, kështu që shumë nga grupi aktual pritet të gjejnë skuadër të re. Do të jetë një eksperiment, me një trajner të huaj. Zërat për ardhjen e Nagelsman te Milani vijnë nga Anglia dhe vështirë të injorohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë