Futboll

Ceferin: 80% e ligave mbyllen në fushë, klubet s’kanë ç’i bëjnë qeverisë

Plani i UEFA-s për të mbyllur sezonin 2019/20 është i qartë dhe presidenti i këtij institucioni, Aleksandër Ceferin, e ilustron kështu: “Mendoj se pjesa më e madhe e kampionateve europiane, le të themi 80%, do ta përfundojnë sezonin në fushë. Kush nuk do ta bëjë, është zgjedhje autonome, duhet të luajë kualifikueset nëse dëshiron të marrë pjesë në kompeticionet e UEFA-s edicionin e ardhshëm. Edhe sezoni i kupave të Europës do të kompletohet. Nëse gjithçka vazhdon kështu, do të mbyllet në gusht.”

Ceferin, duke folur për “beIN Sports”, ka komentuar edhe zgjedhjet e disa ligave për kampionatin përkatës, duke iu referuar Francës: “Për ne është e rëndësishme të dimë klasifikimin përfundimtar për të plotësuar kuadron e skuadrave të kualifikuara për sezonin e ri të kupave. Personalisht, mendoj se të anulosh sezonin para kohe nuk është zgjedhja ideale, sepse gjërat mund të përmirësohen. Por, nëse vendimi është i qeverisë, çfarë mund të bëjnë klubet dhe ligat? Sipas meje, vendimi i Francës ishte i nxituar, por nuk është një çështje që i përket UEFA-s”.

Numri 1 i futbollit europian ka folur më tej edhe për situatën me PSG-në dhe Lionin: “Do të luajnë në Ligën e Kampionëve, por nuk do të zhvillojnë ndeshje deri në gusht, nuk e di nëse është e drejtë të qëndrojnë kaq shumë kohë larg fushës e më pas të luajnë ndeshje të rëndësishme. Megjithatë, e përsëris, nuk është vendimi im”.

Për kalendarin e sezonit 2020/21 dhe “fair-play”-in financiar, Ceferin ka shtuar: “Nuk besoj se do të ketë probleme, sidomos për kalendarin e kompeticioneve të UEFA-s. Gjendemi në një situatë ekonomike të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, do të shohim si mund të adaptohemi, por nuk kemi marrë ende një vendim. Situata e klubeve nuk është e lehtë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë