Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë disa shkelje, sipas Autoritetit të Konkurrencës, që ka nisur tashmë një hetim për institucionin që drejton futbollin në vend. Hetimi lidhet me aktivitetin ekonomik të FSHF-së, që dyshohet se ka abuzuar në disa pika.
Autoriteti i Konkurrencës ka vërejtur shkelje sa i takon shitjes së të drejtës televizive të kampionatit shqiptar dhe Kupës së Shqipërisë, si dhe sa i takon çmimit të biletave të ndeshjeve të Kombëtares. Në rastin e dytë janë marrë për bazë ankesat e tifozëve për ndeshjet eliminatore Shqipëri-Andorrë dhe Shqipëri-Francë të vitit të kaluar.
Mes të tjerash, në raportin voluminoz të Autoritetit të Konkurrencës shkruhet: ”Detyrimin e FSHF-së në të ardhmen për lidhjen e çdo kontrate që vendos të drejta ekskluzive ose të drejta të veçanta në territorin e Republikës së Shqipërisë, për ndërmarrje ose produkte të caktuara, të realizojë procedura prokurimi transparente, jo diskriminuese duke mos vendosur kritere kufizuese dhe përjashtuese në tregun përkatës. Këto kontrata të sillen për vlerësim paraprak pranë Autoritetit të Konkurrencës. Detyrimin e FSHF të hartojë një metodologji për përcaktimin e çmimeve të biletave, me qëllim orientimin drejt kostos të shërbimit dhe çmimit të biletave.

Sjelljen për vlerësim paraprak të metodologjisë pranë Autoritetit të Konkurrencës. Në rast të mospërmbushjes së kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në dispozitivin e këtij vendimi, FSHF ndëshkohet me gjobë deri në 5% të xhiros mesatare ditore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 76, pika 1, germa (a) të ligjit nr. 9121/2003”.
Sa i takon çmimit të biletave, shumë më i lartë se vendet e rajonit, Autoriteti i Konkurrencës i referohet ndeshjes me Francën vitin e kaluar, ku një tifoz duhet të blinte njëkohësisht edhe një biletë të ndeshje mes Andorrën. Çmimet e biletave në ndeshjen me Andorrën varionin nga 500 lekë në 2000 lekë, kurse çmimi i bletës së ndeshjes me Francën varionte nga 1500 në 5000 lekë. Çmime shumë të larta sipas Autoritetit të Konkurrencës. Abuzim i FSHF-së konsiderohet edhe shitja e të drejtës televizive për ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, kur në gjithë botën ndeshjet e këtij kompeticioni transmetohen pa pagesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje